Një vajzë sulmohet nga ariu në Mamushë, shpëton në momentin e fundit

22.10.2025

Një vajzë në Mamushë, Kosovë, shpëtoi në momentin e fundit pasi u sulmua nga një ari dje në orët e hershme të mëngjesit.

Ngjarja e pazakontë u regjistrua nga kamerat e sigurisë, duke treguar momentet e panikut të saj ndërsa përpiqej të shpëtonte.

Në komunën e Mamushës, një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e së martës. Një ari u shfaq në orët e hershme, në një zonë ku nuk është parë ndonjëherë një kafshë e tillë.

Përmes kamerave të sigurisë shihet se rreth orës 07:30, një vajzë 22-vjeçare, e cila ishte duke dalë nga shtëpia për të shkuar në Prizren, u sulmua nga ariu. Vajza, e cila shpërtheu në panik, ia doli të shpëtojë në momentin e fundit.