Policia apelon për kujdes nga arinjtë në zonën malore të Shtërpcës, veçanërisht rreth Brezovicës dhe liqenit të Jazhincës
Policia e Kosovës ka lëshuar një apel të rëndësishëm për kujdes dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe vizitorët që frekuentojnë zonën malore të Shtërpcës.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, Policia ka bërë të ditur se bazuar në informacione nga terreni, është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë së kafshëve të egra, veçanërisht e arinjve, në territorin e komunës së Shtërpcës.
Sipas raportimeve të përditshme, këto kafshë janë parë në afërsi të vendbanimeve, duke paraqitur kështu një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve.
Situata bëhet më shqetësuese në zonat malore përreth Brezovicës, sidomos përreth liqeneve të Shtërpcës, me theks të veçantë tek liqeni i Jazhincës, një zonë e vizituar shpesh nga një numër i madh turistësh dhe vizitorësh vendorë e të huaj çdo ditë.
Policia ka vërejtur se shumë prej vizitorëve po hyjnë në kontakt të afërt me kafshët e egra, duke tentuar të bëjnë fotografi dhe video nga distanca të papërshtatshme (vetëm 10-20 metra larg), veprime të cilat paralajmërohen si potencialisht të rrezikshme për jetën e tyre.
“Apelojmë ndaj të gjithë qytetarëve, sidomos familjeve me fëmijë, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në natyrë dhe të shmangin çdo afrim ndaj kafshëve të egra,” thuhet në apelin e Policisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të ndërmerren masa informuese dhe parandaluese për të rritur sigurinë në këtë zonë.
Gjithashtu, Policia ka ftuar edhe mediat që të ndihmojnë në shpërndarjen e këtij apeli, me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithëve.