Deçan, kapen dy persona me arsenal armësh në makinë
24.02.2025
Dy persona janë arrestuar në Deçan pasi policia gjeti një arsenal armësh në makinën e tyre. Ngjarja ndodhi më 23 shkurt 2025, rreth orës 21:40, në parkingun e një pompe derivatesh.
Një patrullë policore e Stacionit Policor të Deçanit vërejti një automjet të dyshimtë të parkuar në parkingun e pompës së derivateve. Pas legjitimimit të personave që ndodheshin në automjet, policia kreu kontrollin e personave dhe të automjetit.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi:
- Një armë Sarsilmaz 2000 kalibër 9mm dhe një karikator për të njëjtën armë.
- Një armë CZ 999 kalibër 9mm dhe një karikator për të njëjtën armë.
- Një armë Reximex kalibër 9x19mm dhe një karikator për të njëjtën armë.
- 82 fishekë 9x19mm.
- Një mjet të mprehtë (brisk).
Të dyshuarit u arrestuan dhe pas intervistimit nga hetuesit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit, u ndaluan për 48 orë.