Arrestohet brenda pak orëve i dyshuari për vjedhje të rëndë në Prizren
Policia e Kosovës ka reaguar me shpejtësi pas një rasti të raportuar për vjedhje të rëndë që ndodhi në mbrëmjen e 23 qershorit në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 18:40, një 31-vjeçar raportoi në polici se ishte sulmuar nga një person i panjohur në rrugën “Skënder Latifi”. I dyshuari iu afrua me shpejtësi viktimës, e rrëzoi për tokë dhe i grabiti çantën e belit, në të cilën ndodheshin një telefon, 20 euro dhe dokumente personale. Pas grabitjes, i dyshuari u largua me vrap nga vendi i ngjarjes.
Viktima pësoi lëndime të lehta trupore dhe mori trajtim mjekësor.
Falë reagimit të shpejtë të Policisë dhe Njësisë së Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren, rreth orës 20:00, u arrit arrestimi i të dyshuarit K.M., 24 vjeç. Ai ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe ka ndihmuar në lokalizimin e çantës së vjedhur.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, sendet e sekuestruara iu kthyen viktimës, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë, deri në procedurat e mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për reagim të shpejtë dhe efikas në raste që cenojnë sigurinë e qytetarëve.