Të shtëna armësh në një dasmë në Rahovec – Policia ndërhyn dhe sekuestron armët
Dy armë zjarri janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në një aheng familjar që po mbahej në fshatin Bellacerkë të Rahovecit, pasi janë dëgjuar të shtëna gjatë natës.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 00:20, një njësi patrulluese nga Stacioni Policor në Rahovec, gjatë patrullimit të rregullt, ka dëgjuar të shtëna me armë që dyshohej se vinin nga një shtëpi ku po mbahej një dasmë. Menjëherë janë ndërmarrë veprime operative në terren.
Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, të moshës madhore. Si rezultat i ndërhyrjes policore, janë sekuestruar dy armë zjarri – pistoleta për sinjalizim me zë – secila me nga një karikator. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të armës.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka vendosur që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë apel te qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve gjatë ahengjeve familjare apo ngjarjeve festive, duke theksuar se ky veprim përbën rrezik serioz për jetën dhe është vepër penale e dënueshme me ligj.
Policia e Kosovës njofton se do të vazhdojë me veprime parandaluese dhe masa ligjore ndaj çdo sjelljeje që cenon sigurinë publike.
