Një në ndalim policor në Suharekë e dy të tjerë me probleme shëndetësore – dështon gjykimi për shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave rreth 10 milionë euro

08.10.2022

Në mungesë të akuzuarve Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi dhe Armend Danqeli, ka dështuar të mbahet të premten gjykimi për shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave në vlerë rreth 10 milionë euro. Së bashku me ta, po akuzohen edhe Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Skender Fetaj, Habil Krasniqi, Nexhat Ejupi, […]

Një në ndalim policor në Suharekë e dy të tjerë me probleme shëndetësore – dështon gjykimi për shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave rreth 10 milionë euro Foto: Ilustrim

Në mungesë të akuzuarve Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi dhe Armend Danqeli, ka dështuar të mbahet të premten gjykimi për shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave në vlerë rreth 10 milionë euro.

Së bashku me ta, po akuzohen edhe Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Skender Fetaj, Habil Krasniqi, Nexhat Ejupi, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Ricaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Astrit Krasniqi, mbrojtësi i tij Alban Makolli, ka njoftuar gjykatën se i njëjti ka probleme shëndetësore dhe gjendet në Austri.

Ndërkaq, për të akuzuarin Arben Krasniqi, mbrojtësi i tij Florent Latifaj ka njoftuar gjykatën se i njëjti nuk mund të jetë prezent, pasi që është në trajtim mjekësor.

Ndërkaq, lidhur me mungesën e të akuzuarit Danqeli, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, konstatoi se mbrojtësi i tij, avokati Feim Alaj ka njoftuar gjykatën se i njëjti është në ndalim në stacionin policor në Suharekë.

Ndryshe, gjykatësja Çerkini po ashtu konstatoi se avokati Makolli ka kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarve Krasniqi të veçohet procedura penale.

Lidhur me këtë, prokurori i çështjes Naim Abazi, tha se e konsideron se është e panevojshme veçimi i procedurës për dy të akuzuarit, pasi sipas tij kjo do të sjellë vetëm vështirësi për gjykatën.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe ato të radhës u caktuan të mbahen më 14 dhe 15 dhjetor 2022.

Ndryshe, më 7 shtator 2022 të gjithë akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref  Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi dhe Bylbyl Hebibi po akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

Skender Fetaj dhe Habil Krasniqi po akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”, ndërsa, Nexhat Ejupi dhe Kreshnik Myrtollari akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Armend Danqeli po akuzohet nga PSRK-ja për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi”, ndërsa për veprën penale “Shmangie nga tatimi” po akuzohet Dodë Ricaj.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për shmangie nga tatimi kanë qenë edhe Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci të cilët pasi që më 24 maj 2021 e kanë pranuar fajësinë, janë dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe 2500 euro gjobë.

Sipas prokurorisë, Astrit Krasniqi akuzohet se nga 1 janar 2013 e deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Play 4 Win”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automatëve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara përmes shënimeve të hyrje-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik.

Krasniqi po akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike të lidhura me to. Ai po akuzohet se ka kryer shmangie tatimore në vlerë prej 593 mijë e 680 euro e 40 centë. Të hyrat nga aktiviteti kriminal, sipas aktakuzës, i akuzuari Astrit Krasniqi i ka investuar në biznese dhe prona, duke kryer shpëlarje të parave në shumën prej mbi një milion euro.

Arben Krasniqi po akuzohet nga prokuroria se gjatë periudhës kohore 1 janar 2013 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Apex Gaming Kosova”, ka ndërhyrë në 14 numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara.

Tutje ai akuzohet se duke dhënë shënime të pavërteta me të ardhurat e biznesit të tij është shmangur nga tatimi në vlerë prej 298 mijë e 547 euro e 1 cent.

Ai gjithashtu po akuzohet se ka kryer edhe shpëlarje të parave në shumën prej 75 mijë euro për biznesin e lartcekur.

Istref Veliqi po akuzohet nga PSRK-ja se nga 1 janar 2013 e deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Game Plus”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai akuzohet edhe se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, duke kryer shmangie tatimore në shumën prej 475 mijë e 747 euro e 79 centë. Ai akuzohet se ka kryer shpëlarje të parave në vlerë prej 698 mijë e 280 euro.

Blerim Imeri akuzohet se përmes biznesit “Matrix” SH.P.K ka ndërhyrë në një numërator mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojëtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari ngarkohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, e ku ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 69 mijë e 442 euro e 17 centë dhe shpëlarje të parave në vlerën prej 1 milionë e 285 mijë euro.

Skender Fetaj po akuzohet se nga 1 prill 2015 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “EGKT II”, ka ndërhyrë në numërator mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Fetaj akuzohet se ka kryer shmangie tatimore në vlerë prej 47 mijë e 51 euro dhe shpëlarje të parave në shumën 1 milionë e 610 mijë e 700 euro.

Flakron Maqani akuzohet se nga 12 maji 2015 deri më  22 mars 2019 përmes biznesit “Las Vegas 2” ka ndërhyrë në 27 numëratorë mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojëtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Maqani akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 1 milionë e 399 mijë e 573 euro e 93 centë dhe shpëlarje të parave në vlerë prej 541 mijë e 745 euro.

Ndërsa, Armend Danqeli po akuzohet se nga 1 janari 2013 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Euro Game”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave. Ai gjithashtu akuzohet se në emër të biznesit të lartcekur ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 57 mijë e 661 euro e 10 centë.

I akuzuari Xhavit Krasniqi akuzohet se nga 24 maj 2016 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Invest Kosova” Sh.P.K ka ndërhyrë në 19 numëratorë mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguaj lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Krasniqi ngarkohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 251 mijë e 171 euro e 61 centë dhe shpëlarje të parave në shumën prej 185 mijë euro.

Edmond Jakupi akuzohet se nga 9 gusht 2016 deri më 22 mars 2019 përmes biznesit “Cometa” Sh.P.K ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 8 mijë e 268 euro e 60 centë.

Bylbyl Hebibi po akuzohet se nga 1 janari 2013 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Real Sport”, ka ndërhyrë në pesë numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara.

Hebibi po akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, se ka kryer shmangie nga tatimi në shumën prej 266 mijë e 715 euro e 61 centë si dhe ka kryer shpëlarje të parave në shumën prej 98 mijë e 112 euro.

Nexhat Ejupi po akuzohet se nga 1 janari 2013 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Lumi”, ka ndërhyrë në një numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai gjithashtu akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike dhe se ka kryer shmangie nga tatimi në shumën prej 45 mijë e 846 euro e 94 centë.

I akuzuari Habil Krasniqi po akuzohet se nga 28 marsi 2017 e deri më 21 mars 2019 përmes subjektit “Loni Sport”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai ngarkohet se ka kryer edhe shmangie tatimore në shumën prej 10 mijë e 634 euro si dhe shpëlarje të parave në shumën prej 259 mijë e 650 euro, në emër të biznesit të lartcekur.

Kreshnik Myrtollari është duke u akuzuar nga prokuroria se nga 11 janari 2018 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Club Gold”, ka ndërhyrë në tetë numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara dhe se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, si dhe ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 619 mijë e 266 euro e 90 centë.

Tahir Bërbatovci akuzohet se nga 1 janari 2014 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Hotel Kosvegas” ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 22 mijë e 844 euro e 73 centë.

I akuzuari Dodë Rica akuzohet se nga 2 nëntor 2017 deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Shqiponja Strip Club” ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 36 mijë e 389 euro e 24 centë, përmes biznesit të lartcekur. /BetimipërDrejtësi