“Nuk ndihem fajtor”, Sinan Vllasaliu deklarohet për akuzën e shmangies së tatimit

17.05.2024

Këngëtari Sinan Vllasaliu ka thënë se nuk ndihet fajtor derisa ka deklaruar se çdo shmangie nga tatimi ishte paqëllimshme.

“Nuk ndihem fajtor”, Sinan Vllasaliu deklarohet për akuzën e shmangies së tatimit

Këtë deklarim, Vllasaliu e ka bërë të premten në fjalën përfundimtare që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Nuk ndihem fajtor… çdo gjë që ju kam shmangë është shume e paqëllimshme, si dhe kur më ka kerku ATK-ja nuk kam qenë këtu. Po sikur te dija sigurisht do te paraqitesha. Pasi që i vetmi problem i imi është se unë jam vetëm shtetas i Amerikës”, ka deklaruar Vllasaliu.

Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

Ai akuzohet se ka dëmtuar shtetin me 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015, raporton Betimi për Drejtësi.

Etiketat

Ofertat e fundit