Më 28 nëntor konferenca për rastin kundër administrimit të drejtësisë, Thaçi do kyçet përmes video-lidhjes

27.11.2025

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë më 28 nëntor do të mbahet një konferencë për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas një njoftimi që e ka bërë mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, klienti i saj do të marrë pjesë në këtë konferencë përmes video-lidhjes.

Konferenca pritet të mbahet rreth orës 09:30 me 45 minuta vonesë në transmetim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, palët janë obliguar që të dorëzojnë parashtrime për gatishmërinë që gjykimi në këtë rast eventualisht të fillojë në javën që nis më 15 dhjetor 2025.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.