Gjykimi për vrasjen shkaku i borxhit prej 20€ në Maqitevë, i akuzuari thotë se u njoftua në polici për vdekjen e të ndjerit

28.06.2022

Fillimisht, përfaqësuesi i të dëmtuarës K.K, avokat Miftar Qelaj ka pasur vërejtje ndaj gardianëve ku thotë se i akuzuari S.A pa lejen e gjykatës ka komunikuar në telefon me dëshmitarët, po ashtu ai tha ata kanë njoftuar mbrojtësit e të akuzuarit se seanca është duke u vonuar, raporton “Betimi për Drejtësi”. Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja […]

Gjykimi për vrasjen shkaku i borxhit prej 20€ në Maqitevë, i akuzuari thotë se u njoftua në polici për vdekjen e të ndjerit Foto: Ilustrim

Fillimisht, përfaqësuesi i të dëmtuarës K.K, avokat Miftar Qelaj ka pasur vërejtje ndaj gardianëve ku thotë se i akuzuari S.A pa lejen e gjykatës ka komunikuar në telefon me dëshmitarët, po ashtu ai tha ata kanë njoftuar mbrojtësit e të akuzuarit se seanca është duke u vonuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha lidhur me këtë u ka bërë vërejtje me gojë gardianëve ku tha se këto janë shkelje procedurale dhe shkelje e Kodit të Etikës dhe se gjëra të tilla nuk mund të ndikojnë në vendim të gjykatës.

Seanca ka vazhduar me deklarimin e të akuzuarit S.A i cili në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokat Nazmi Mustafi se çfarë mund të deklarojë lidhur me raportet me të ndjerin Sh.K, i akuzuari ka thënë se ka pasur raporte të mira me të ndjerin dhe se janë takuar shpesh në lokalin e L.A.

Tutje, i akuzuari ka thënë se ditën kritike më 26 janar 2020, përmes telefonit vëllau i tij G. nga Gjermania i kishte thënë se janë sharë mes veti vëllau i tyre N. dhe i ndjeri Sh.K.

Për këtë, ai tha se G. i kishte kërkuar që të diskutojë me Sh.K pasi që i kishte raportet e mira me të.

“Më ka thënë se janë sharë Sh.K me N., kontaktoje Sh.K, zatetu pasi që ke muhabet me të dhe mirruni vesh ku është problemi”, tha i akuzuari S.A.

Ai po ashtu, tha se në momentin kur ishte duke shkuar për të takuar të ndjerin Sh.K në lokalin e L. A me vete e kishte marrë pushkën me qëllim se në fshat kishte shumë kafshë të egra.

Në pyetjen tjetër të avokatit Mustafi se çfarë ka ndodhur brenda në lokal, i akuzuari S.A tha se në tavolinë në lokal kanë qenë së bashku i ndjeri Sh.K, L.A dhe N.A, të cilët në momentin kur i kishte përshëndetur, i ndjeri Sh.K kishte filluar me fyerje dhe kërcënim ndaj tij.

I akuzuari .K tha se në këto momente i ka kërkuar të ndjerit Sh.K që të ulen dhe të bisedojnë por sipas tij, i njëjti ka vazhduar me sharje.

Po ashtu, ai tha se i ndjeri ka vazhduar me sharje edhe jashtë lokalit dhe se në momentin kur ishte duke shkuar në kamionetën e tij e kanë sulmuar prapa shpinës, për këtë ai tha se e ka marrë armën dhe se njëjta në këto momente ka krisur në drejtim të panjohur.

“Arma ime ka krisur, nuk jam i sigurt 2 apo 3 krisma kanë shkuar teposhtë dhe në ajër në drejtim të panjohur”, tha i akuzuari S.A.

Gjithashtu, ai theksoi se për vrasjen e të ndjerit Sh.K ka qenë njoftuar në polici dhe se ka qenë në gjendje kritike dhe nuk është në gjendje të deklarojë me tutje.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 korrik 2022.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon S.A se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e L.A.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L. e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit L.A, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, A.K dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, S.A akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi