Dogana ndalon kontrabandimin e mbi 4 mijë etiketave të dyshuara
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar një rast kontrabandimi të etiketave dhe aksesorëve të dyshuar për shkelje të pronësisë intelektuale në Pikën Kufitare Han i Elezit, gjatë kontrolleve të rregullta kufitare.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një udhëtar për kontroll të detajuar, ku gjatë verifikimit të bagazhit është zbuluar një sasi e konsiderueshme mallrash, përfshirë veshje, etiketa dhe aksesorë metalikë, në një sasi prej rreth 4.500 copë. Këto mallra mbanin shenja dalluese të markave të njohura tregtare, për të cilat ekziston dyshimi se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale.

Dogana thekson se etiketat dhe aksesorët me shenja të mbrojtura tregtare ndalohen pasi mund të përdoren për t’u vendosur në produkte jo origjinale, duke i paraqitur ato në treg si mallra të markave të njohura. Ky veprim, sipas autoriteteve, dëmton drejtpërdrejt mbajtësit e markave, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg.
Tutje thuhet se edhe në rastet kur etiketat importohen veçmas nga produktet, ato konsiderohen rrezik për keqpërdorim dhe përfshirje në zinxhirin e falsifikimit, ndaj ndalimi i tyre është i domosdoshëm.
Mallrat e sekuestruara janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe për parandalimin e importit dhe qarkullimit të mallrave të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës.