19-vjeçari kapet duke vozitur 162 km/h në zonë të kufizuar me 50 km/h – gjobitet me 500 euro dhe 5 pikë negative
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se më 07 dhjetor 2025, rreth orës 21:26, zyrtarët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor kanë ndaluar një shofer që po udhëtonte me shpejtësi ekstreme në qytet. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj.
Foto: Ilustrim
Shoferi O.H. (19 vjeç), i cili po drejtonte një veturë BMW X3 me targa vendore, është kapur duke lëvizur me 162 km/h, ndonëse kufizimi i shpejtësisë në atë zonë është vetëm 50 km/h. Shkelja është konsideruar tejet e rëndë dhe me rrezik të lartë për sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

Si rezultat, ndaj tij janë shqiptuar këto masa ndëshkuese:
- 500 euro gjobë
- 5 pikë negative
- Ndalim i drejtimit të automjetit për 12 muaj në territorin e Republikës së Kosovës
Policia njofton se matja e shpejtësisë është kryer me veturën zyrtare të pajisur me radar.
Në njoftim, Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar se tejkalimet e shpejtësisë paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të tjerëve.
Gjithashtu, policia paralajmëron se do të vazhdojë intensifikimin e kontrolleve me radarë në të gjitha rrugët e rajonit me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.
Qytetarët inkurajohen të raportojnë çfarëdo shkelje të trafikut në këta numra kontakti:
192,
0290/326-250,
0290/322-406,
si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Policia garanton se të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.