Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë nëse nuk u paguhen shtesat e rrezikshmërisë

16.11.2023

“Kërkojmë urgjentisht që të analizohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Kosovë, përndryshe zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe unanimisht kërkojnë që për shkak të mosrealizimit të kërkesave dhe pritjeve me vite, mos përfilljes dhe anashkalimit që iu bëhen zjarrfikësve, të organizojnë protestë”. Kështu tha Sindikata e Zjarrfikësve të […]

Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë nëse nuk u paguhen shtesat e rrezikshmërisë Foto: Ilustrim

“Kërkojmë urgjentisht që të analizohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Kosovë, përndryshe zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe unanimisht kërkojnë që për shkak të mosrealizimit të kërkesave dhe pritjeve me vite, mos përfilljes dhe anashkalimit që iu bëhen zjarrfikësve, të organizojnë protestë”.

Kështu tha Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, e cila përmes një reagimi dërguar mediave, ka shprehur pakënaqësitë e tyre drejt institucioneve të shtetit.

Në reagimin e tyre, të cilin thonë se ia kanë dërguar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe dikastereve relevante, ata thonë se janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Sindikata thotë se kërkesat e tyre kanë të bëjnë me shtesat për rrezikshmëri në punë, kërkesë e cila thonë se është injoruar tash e sa kohë, ndërsa thonë se e njëjta është realizuar për policinë e Kosovës.

“Sot në mbledhjen e Qeverisë, me vendim u siguruan mjetet për rrezikshmëri në punë për policinë e Kosovës, ky vendim selektiv vetëm për një kategori të institucionit për siguri, duke i përjashtuar zjarrfikësit, institucionin me specifika të veçanta, ndër profesionet me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe jetën, ka irrituar dhe ka shqetësuar pa masë zjarrfikësit e Kosovës. Ky vendim është i papranueshëm, edhe një herë dëshmon se zjarrfikësit nuk kanë përkujdesje institucionale, pa mbështetje, të diskriminuar me vite, të denigruar dhe të përbuzur me dekada”.

“Zjarrfikësit e Kosovës ende nuk janë kompensuar për ndërrime të natës, festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit (për vitin 2022) mandej moskompensimi i obligimeve për shtesa edhe të vitit 2023 dhe mospagesa edhe e orëve jashtë orarit ë  ftuar në mobilizim në veri, kjo gjendje dhe ky diskriminim ka arritur kulmin dhe zjarrfikësit e Kosovës kërkojnë drejtësi dhe kërkesat të plotësohen urgjentisht”, ka thënë kjo sindikatë në reagimin dërguar mediave.

Ata thonë se deri më tani asnjë përgjigje lidhur me kërkesat e tyre nuk kanë marrë nga institucionet shtetërore.

Prandaj, “apelojmë dhe kërkojmë nga institucionet qeveritare, nivelit qendror dhe lokal, ministrive përkatëse, deputetëve që urgjentisht të veprohet dhe të angazhohen që të rregullohet pozita e pazgjidhur e Zjarrfikësve, që të mbrojnë interesat e shërbimit të zjarrfikësve, të shqyrtohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve, urgjentisht të sigurohen mjete buxhetore dhe të na krijoni mundësi, të krijoni kushte normale dhe t’i kryeni obligimet që keni ndaj Zjarrfikësve të Kosovës, angazhohuni që shërbimi të jetë funksional dhe të jetë i gatshëm që të kryejë misionin në mënyrë të dinjitetshme”.

Kërkesat e Sindikatës së Zjarrfikësve janë:

  • Të fillojë të kompensohet rrezikshmëria në punë;
  • Sigurimet shëndetësore;
  • Të rritet stafi me zjarrfikës të rinj, numri i tanishëm jashtë çdo kriteri;
  • Kontrollet sistematike të zjarrfikësve;
  • Të kompensohen obligimet për orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe ndërrimet e natës për vitin 2022, siç jemi dakorduar në takim mbajtur me dt. 19.11.2021 me zv. Kryeministrin Z. Besnik Bislimi, ministrin Z. Hekuran Murati dhe ministrin, Z. Xhelal Sveçla;
  • Të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit për vitin 2023;
  • Të definohen kompetencat menaxhuese në mes AME/MPB-Komuna
  • Të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje dhe mjete për punë; dhe
  • Të sigurohet shujta

Qeveria e Kosovës i ka miratuar sot shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.