Zjarrfikësit kërkojnë që të përfshihen në vendimin për kompensimin e orëve shtesë, gjatë vikendeve dhe për ndërrimet e natës

12.10.2023

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të përfshihen edhe zjarrfikësit në vendimin e fundit për kompensimin e orëve shtesë, gjatë vikendeve dhe për ndërrimet e natës sikur për Policinë e Kosovës dhe Shërbimin spitalor dhe Klinik te Kosovës. Ata në një letër publike drejtuar të gjitha institucioneve, shprehin […]

Zjarrfikësit kërkojnë që të përfshihen në vendimin për kompensimin e orëve shtesë, gjatë vikendeve dhe për ndërrimet e natës Foto: Zjarrfikësit e Komunës së Suharekës

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të përfshihen edhe zjarrfikësit në vendimin e fundit për kompensimin e orëve shtesë, gjatë vikendeve dhe për ndërrimet e natës sikur për Policinë e Kosovës dhe Shërbimin spitalor dhe Klinik te Kosovës.

Ata në një letër publike drejtuar të gjitha institucioneve, shprehin pakënaqësitë dhe shqetësimet e tyre lidhur për mos gatishmërinë e institucioneve vendimmarrëse që kjo gjendje të përmirësohet dhe të sigurohen kushte normale për zjarrfikësit.

“Vendimi i ministrit të Financave që të ketë rritje për tre muajt e fundit, për orët shtesë, nderrimet e natës dhe festat për kategoritë tjera, Policinë e Kosovës, Shërbimin spitalor dhe Klinik te Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, ATK-në, Doganën, Inspektoratin e Kosovës, Shërbimin korrektues te Kosovës duke i përjashtuar kështu zjarrfikësit, ka irrituar dhe indinjuar pa masë zjarrfikësit e Kosovës dhe kjo tregon se zjarrfikësit e Kosovës janë në mëshirën e askujt dhe pa përkujdesje institucionale. Andaj kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe edhe zjarrfikësit të përfshihen në këtë rritje. Ky veprim i ministrit është i pa matur dhe diskriminues ndaj zjarrfikësve”, thuhet në letrën publike drejtuar institucioneve.

Më tej në letrën drejtuar institucioneve të Kosovës thuhet se: vite me radhë ju kemi drejtua dhe kemi kërkuar nga institucionet vendimmarrëse që të rregullohet çështja e pa zgjidhur e zjarrfikësve, por u neglizhua dhe u hesht pakuptimtë dhe asnjëherë nuk ju dha prioritet dhe rendësi shërbimit zjarrfikës. Kësaj radhe ju kemi drejtuar me qëllim që ketë herë mos të heshtni, por të ngriteni zërin të reagoni dhe të jeni në përkrahjen e Shërbimit të Zjarrfikësve, të drejtave të tyre të nëpërkëmbura vite me radhë, t’i ndërpriteni shkeljet, diskriminimet, përbuzjet dhe denigrimet. Prandaj edhe një herë kërkojmë nga gjithë ju, që në vazhdimësi po na quani ‘Heronj’, ju lutem mos na quani ‘Heronj’, por kryeni obligimet dhe përgjegjësit që keni para qytetarëve dhe institucioneve dhe të angazhoheni që çështja e zjarrfikësve të rregullohet ashtu siç e meritojnë”.