Zhvillime të reja, Ministri Peci intervistohet pas aksionit policor në ministri
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar nga organet e hetuesisë pas aksionit të Policisë së Kosovës që u zhvillua sot në Ministrinë e Bujqësisë.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Gjatë mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës kreu një aksion bastisjeje në Ministrinë e Bujqësisë, i cili tashmë ka përfunduar. Prokuroria Speciale ka konfirmuar se bastisjet janë kryer me urdhër të saj.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhej: “Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”.
Prokurori i rastit, Admir Shala, më vonë para gazetarëve ka detajuar se përveç Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), kontrolle janë kryer edhe në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, si dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës.
“Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Jemi duke i zhvilluar bastisjet, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme, drejt zbardhjes së rastit konkret,” ka deklaruar prokurori Shala.
Pra, hetimet duket se lidhen me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore dhe procesin e dhënies së saj në shfrytëzim. Intervista e ministrit Peci nga organet e hetuesisë tregon se ai është në qendër të hetimeve.