Zhduket 10-vjeçari në Fushë Kosovë

30.04.2025

Një fëmijë 10-vjeçar, Aurel Krasniqi, është zhdukur në Fushë Kosovë që nga pasditja e djeshme, duke shkaktuar shqetësim të madh në familje dhe komunitet.

Lajmi bëhet i ditur nga Gazeta Sinjali, e cila ka siguruar informacione nga burime të sigurta.

Sipas burimeve, nëna e Aurelit është paraqitur në Stacionin Policor të Fushë Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:30, për të raportuar zhdukjen e djalit të saj. Ajo ka deklaruar se Aureli ka dalë nga banesa e tyre në rrugën “Hajrullah Zymi” më 29 prill 2025, rreth orës 16:30, dhe nuk është kthyer më në shtëpi që atëherë.

Familjarët e shqetësuar kanë dhënë edhe përshkrimin fizik të Aurelit për të ndihmuar në kërkimet. Ai është rreth 1.50 metra i gjatë, peshon 45 kilogramë, ka sy të zinj dhe flokë të kaftë. Në momentin e zhdukjes, Aureli kishte të veshur një duks ngjyrë gri.

Policia e Kosovës ka nisur menjëherë hetimet dhe kërkimet për gjetjen e 10-vjeçarit. Familjarët u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion në lidhje me vendndodhjen e Aurel Krasniqit, të kontaktojnë menjëherë Policinë e Fushë Kosovës ose familjen. Çdo informacion mund të jetë vendimtar në gjetjen e tij sa më shpejt.