VV, PDK, LDK dhe AAK bashkojnë forcat për të fituar zgjedhjet në Graçanicë

14.08.2025

Në Graçanicë është krijuar iniciativa e përbashkët politike “Aleanca shqiptare” për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Sipas aplikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo nismë ka bashkuar partitë më të mëdha shqiptare: Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Aleanca shqiptare” do të garojë si për kryetar të Komunës së Graçanicës, ashtu edhe për Kuvendin Komunal. Kandidat për kryetar është Leutrim Ajeti, i cili deri tani ka shërbyer si nënkryetar i kësaj komune. Në rrjetet sociale, Ajeti ka konfirmuar kandidimin dhe ka bërë të ditur se bashkë me të, kjo iniciativë garon me një listë prej 10 kandidatëve për Asamblenë Komunale, nga të cilët katër janë të gjinisë femërore.

Ai ka theksuar se për këto zgjedhje, bindjet partiake janë lënë anash për të bashkuar shqiptarët në një listë të përbashkët. Ajeti është zotuar se nëse fiton, do të punojë shumëfish më tepër për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe realizimin e projekteve madhore në çdo vendbanim të komunës, pa dallim etnie apo feje.

Ditëve në vijim, “Aleanca shqiptare” pritet të publikojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, si dhe listën e plotë të kandidatëve për Kuvendin Komunal, të cilën e cilëson si listën fituese të këtyre zgjedhjeve.