Dy ditë nga balotazhi, qytetarët e Suharekës vendosin për katër vitet e ardhshme

07.11.2025

Suhareka ka hyrë në dy ditët e fundit të një gare vendimtare zgjedhore. Më 9 nëntor 2025, qytetarët do t’i drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës në balotazhin mes dy kandidatëve më të votuar në raundin e parë: Bali Muharremaj nga AAK dhe Ardian Shala nga LDK.

Raundi i parë i mbajtur më 12 tetor 2025 tregoi një ndryshim të rëndësishëm elektoral krahasuar me vitin 2021, duke e kthyer garën e këtij viti në një përballje dukshëm më të afërt.

KandidatiPartiaVotat (2021)Votat (2025) raundi i parëNdryshimi
Bali Muharremaj (AAK)AAK14,48312,937-1,546 vota
Ardian Shala (LDK)LDK8,6298,922+293 vota

Në vitin 2021, Muharremaj udhëhiqte me një diferencë të konsiderueshme prej rreth 5,854 votash. Këtë vit, ndërsa AAK ka marrë rreth 1,500 vota më pak se më parë, LDK ka shënuar një rritje modeste prej afërsisht 300 votash, duke e ngushtuar diferencën dhe duke krijuar një garë shumë më të hapur.

Këtë vit në garë morën pjesë edhe Hamdi Bytyçi (LVV) me 3,969 vota dhe Dardan Berisha (PDK) me 2,657 vota

Së bashku, ata kanë 6,626 vota që mund të jenë përcaktuese në balotazh. Aktualisht, asnjëra nga dy partitë kryesore, AAK apo LDK, nuk ka shpallur koalicion zyrtar apo marrëveshje bashkëpunimi me ndonjë subjekt tjetër politik në Suharekë. Kjo e bën rezultatin e balotazhit edhe më të paparashikueshëm, pasi orientimi i votuesve të LVV-së, PDK-së dhe atyre të pavendosur mbetet i paqartë.

Pjesëmarrja, shumicën e herëve, është faktori që e ndryshon ekuilibrin në fazën e dytë të votimit. Kjo pritet të jetë vendimtare edhe këtë herë.

Balotazhi i 9 nëntorit në Suharekë pritet të jetë një nga garat më të ngushta të viteve të fundit. Me diferencën ndërmjet dy kandidatëve që tani është më e vogël sesa në 2021 dhe me mbi 6 mijë vota të lira në lojë, rezultati mbetet i hapur.