Policia e Kosovës gati për të garantuar sigurinë gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka zhvilluar një takim me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtoritë rajonale, ku është diskutuar plani policor për garantimin e sigurisë gjatë “Zgjedhjeve Lokale 2025”.
Në takim mori pjesë edhe stafi i lartë menaxhues i policisë, ku u prezantuan planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cilësuar si një nga proceset më të rëndësishme për vendin.
Kolonel Hoxha theksoi se qëllimi kryesor i këtij plani është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke siguruar rendin dhe qetësinë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Ai kërkoi që zbatimi i planit të bëhet me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera të përfshira në proces.
Plani operativ policor është ndarë në katër faza: periudha përgatitore parazgjedhore, sigurimi gjatë fushatës, garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve dhe periudha paszgjedhore, që përfshin transportin dhe ruajtjen e materialit zgjedhor nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, për këtë proces pritet të angazhohet një numër i konsiderueshëm zyrtarësh policorë nga njësi të ndryshme të PK-së. Janë caktuar edhe koordinatorë të posaçëm që do të bashkëpunojnë ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera të përfshira.
Në takim u theksua se çdo vepër penale që bie ndesh me të drejtën e votës do të trajtohet në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të mbrojtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që ta realizojë këtë detyrë me profesionalizëm, transparencë dhe paanshmëri, duke garantuar siguri të plotë për qytetarët dhe procesin zgjedhor në të gjithë vendin.