Ardian Shala zhvillon takim me banorët e Gjinocit, Grejkocit dhe Gelancës

06.11.2025

Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ardian Shala, ka zhvilluar takime me banorë të tre fshatrave të komunës, Gjinocit, Grejkocit dhe Gelancës.

Shala ka bërë të ditur se gjatë vizitës është takuar me banorë të cilët i ka vlerësuar si njerëz punëtorë, të ndershëm dhe me energji pozitive. Ai ka theksuar se në bisedat e zhvilluara ka vënë re, siç ka thënë, dashurinë e tyre për vendlindjen dhe dëshirën për ndryshim në komunë.

“Faleminderit për mikpritjen dhe besimin që po na e jepni çdo ditë”, ka shkruar ndër të tjera Shala, duke shtuar se sipas tij, angazhimi i përbashkët do të jetë në drejtim të një “Suhareke më të zhvilluar, më të drejtë dhe më afër njerëzve”.

Takimet me banorë në terren janë pjesë e aktiviteteve të rregullta të fushatës së Shalës, i cili synon të udhëheqë komunën në mandatin e ardhshëm.