VV-LDK takim në ora 17:00 me ambasadorët e QUINT-it në Kuvendin e Kosovës
Janë bërë më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve kishin filluar takimet e grupeve punuese të VV-së dhe LDK-së për përafrimin e […]
Janë bërë më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve kishin filluar takimet e grupeve punuese të VV-së dhe LDK-së për përafrimin e programit qeverisës, ku këto takime rezultuan me sukses.
Ndërsa pas harmonizimit të programit qeverisës kishin filluar takimet në mes lidershipit të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës me qëllim të arritjes së koalicionit qeverisës, por deri më tani ende nuk është arritur një gjë e tillë.
Më 20 janar Lëvizja Vetëvendosje e kishte propozuar Albin Kurtin si mandatar për Kryeministër të Kosovës, madje edhe presidenti i Kosovës po atë ditë e dërgoi Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa tashmë kanë mbetur edhe një javë deri në skadimin e afatit kushtetues për paraqitjen e kabinetit të ri qeveritar përpara Kuvendit të Kosovës nga i mandatuari për kryeministër Albin Kurti, ende nuk ka marrëveshje për koalicion nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
As në takimin e së hënës pasdite mes dy liderëve të kësaj partie nuk është arritur dakordimi, ndërsa sot është paralajmëruar një tjetër takim.
Me prezencën e ambasadorëve të QUINT-it dhe të shefes së Misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, do të mbahet sot takimi i radhës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gazeta Express merr vesh se takimi është caktuar për në ora 17:00 në Kuvend të Kosovës.
Dje u tha se do të merren vesh përfundimisht për koalicionin ose që nuk mund të shkojnë bashkë në qeverisje. Mirëpo, takimi që zgjati gati tre orë në mes të LV-së dhe LDK-së, përfundoi edhe njëherë pa epilog.