Vritet kosovari në Bruklin, teksa tentonte të ndalonte një vjedhje
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar dhe banorët e një ndërtese në Brooklyn, pasi mirëmbajtësi i saj u vra brutalisht gjatë përpjekjes për të ndaluar një hajdut pakosh.
Sipas policisë së Nju Jorkut, incidenti ndodhi të mërkurën rreth orës 08:00 të mëngjesit, në një ndërtesë banimi në Ocean Avenue, në lagjen Flatbush. Oficerët që mbërritën në vendin e ngjarjes gjetën një burrë të plagosur rëndë në kokë. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Kings County në gjendje kritike.
Viktima u identifikua nga familjarët si Burim Havolli, 41 vjeç. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Havolli ndërroi jetë pak orë më vonë si pasojë e plagëve të marra, raportoi NBC News NY.
Tentoi të ndalte vjedhjen e pakove
Sipas tregimeve të fqinjëve, Havolli, i njohur si njeriu që kujdesej për ndërtesën dhe i dashur nga banorët, u përball me një person që dyshohet se po vidhte pako nga hyrja e godinës. Përballja degjeneroi në dhunë, duke çuar në sulmin fatal.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të thellë tek banorët e lagjes, të cilët thonë se situata e sigurisë në zonë është përkeqësuar muajt e fundit.
“Zona po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Nuk ndihemi më të sigurt as në hyrje të shtëpive tona”, u shpreh një nga fqinjët.
Familja e tronditur: ‘I punësuar, i respektuar, u vra duke bërë detyrën’
Familjarët e Havollit janë të shokuar dhe të pikëlluar nga humbja e tij. Ata thonë se Burimi ishte njeri punëtor, i respektuar nga të gjithë dhe gjithmonë i gatshëm të ndihmonte.
Ai u vra pikërisht teksa po përpiqej të mbronte pronën e banorëve dhe ndërtesën ku punonte çdo ditë.
Hetimet vazhdojnë
Policia e Nju Jorkut ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit. Një person i dyshuar është marrë në pyetje, por deri tani nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare.
Banorët dhe familja e viktimës kërkojnë drejtësi për Burim Havollin, ndërsa komuniteti vazhdon të mbetet i tronditur nga humbja tragjike.