Votat e pavlefshme, “partia” e pestë në zgjedhjet lokale

06.11.2021

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, në zgjedhjet për kryetar komune kanë dalë 13 mijë e 22 fletëvotime të pavlefshme në të gjitha komunat e vendit, prej tyre 208 fletëvotime të pavlefshme në Komunën e Suharekës. Ndërkaq nga zgjedhjet për kuvende komunale kanë dalë 56 mijë e 179 fletëvotime të pavlefshme në të gjitha komunat […]

Votat e pavlefshme, “partia” e pestë në zgjedhjet lokale Foto: Ilustrim

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, në zgjedhjet për kryetar komune kanë dalë 13 mijë e 22 fletëvotime të pavlefshme në të gjitha komunat e vendit, prej tyre 208 fletëvotime të pavlefshme në Komunën e Suharekës.

Ndërkaq nga zgjedhjet për kuvende komunale kanë dalë 56 mijë e 179 fletëvotime të pavlefshme në të gjitha komunat e Kosovës, ndërkaq prej tyre 1 mijë e 498 fletëvotime të pavlefshme kanë dalë në Komunën e Suharekës.

Ky numër i fletëvotimeve të pavlefshme po vije si pasojë se sipas njohësve të çështjeve dizajni i fletëvotimit nuk është shumë i lehtë.

Po ashtu, është thënë se edhe fushata për informimin dhe edukimin e votuesve duhet të jenë më kualitative.

Ndërkohë zgjedhjet me numrin më të madh të fletëvotimeve të pavlefshme janë shënuar në vitin 2017. Rreth 80 mijë fletëvotime të pavlefshme janë shpallur në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Po atë vit u organizuan edhe zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje, më shumë se 42 mijë vota u shpallën të pavlefshme.

Një qytetar, I.K, teknik i pensionuar i makinerisë, nuk është i sigurt nëse vota e tij ka qenë e vlefshme në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kjo sipas tij mosinformimi i duhur për këtë proces zgjedhor, e si rrjedhojë mund të ketë gabuar.

“Në zgjedhjet e fundit lokale, fletëvotimet më janë dukur shumë të komplikuara. Një fletëvotim e paraqet partinë, fletëvotimi tjetër nuk kishte asgjë të përbashkët më të. Nuk jam aspak i sigurt se kam votuar mirë. Por, unë gjithmonë dal në zgjedhje, votoi si di”, thotë ai.

“Mënyra e votimit duhet të shfaqet shpesh nëpër televizione, në mënyrë që populli të kuptojë sesi duhet të votohet”, shton I.K.

Cakolli: Nevojitet ndryshimi i dizajnit të fletëvotimeve

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që kanë monitoruar procesin zgjedhor, thotë se kjo situatë është e papranueshme dhe duhet të adresohet menjëherë, duke punuar në ndryshimin e dizajnit të fletëvotimeve dhe ndryshimin e kampanjave për informim të votuesve lidhur me mënyrën e votimit.

“Në një situatë të tillë ndikim të madh ka edhe dizajni i fletëvotimit. Mirëpo edhe vetë mënyra e votimit, sepse qytetarët marrin dy fletëvotime dhe pastaj mund të krijohen huti të tilla. Për këtë arsye ne kemi rekomanduar që të bëhet një rishikim i dizajnit të fletëvotimeve dhe kampanjave për informim”, shprehet Cakolli për RadionEvropaeLirë.

Duke llogaritur numrin e këtyre fletëvotimeve, Cakolli shprehet se votat e pavlefshme dhe të zbrazëta është “subjekti” i pestë në zgjedhjet lokale.

“Në fakt përveç se është një prej ‘subjekteve’ më të votuara, ne kemi pasur situatë të njëjtë edhe në zgjedhjet parlamentare kur votat e pavlefshme teknikisht e kanë kaluar pragun zgjedhor. Madje në disa raste në zgjedhjet komunale, në disa komuna përqindja e fletëvotimeve arrin në 20 për qind, që është subjekti i dytë më i votuar brenda asaj komune ”, thekson ai/REL/