Vazhdon procesi i numërimit të votave në Suharekë, dita e dytë në QKN

09.06.2026

Drejtori i Komisionit Komunal Zgjedhor në Suharekë, Skender Qelaj, ka njoftuar se po vazhdon dita e dytë e punës në Qendrën Komunale të Numërimit.

Përmes një postimi në Facebook, Qelaj ka bërë të ditur se procesi po ecën sipas planifikimit.

“Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave po zhvillohet sipas planifikimit, me angazhimin e ekipeve të numërimit dhe stafit mbështetës, duke respektuar standardet e transparencës, korrektësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor”, ka shkruar ai.

Qelaj ka falënderuar gjithashtu të gjithë të përfshirët në këtë proces.

“Faleminderit të gjithë numëruesve, vëzhguesve dhe mediave për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi”, thuhet në postimin e tij.