“Trepça” në vështirësi financiare, bllokadat përmbarimore rrezikojnë pagat e punëtorëve
Ndërmarrja publike “Trepça” po përballet me një situatë të rëndë financiare, e cila është përkeqësuar ndjeshëm nga bllokadat përmbarimore të iniciuara nga punonjësit e saj.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga ndërmarrja, këto bllokada po vështirësojnë pagesën e pagave për muajin shkurt dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera financiare.
Në fazën e parë të këtyre lëndëve, “Trepça” është në proces të pagesës së shumës prej 475,498 eurosh, e cila përfshin:
- Obligimet ndaj punonjësve: 347,047 euro
- Shpenzimet përmbarimore: 37,299 euro
- Shpenzimet e avokatëve: 91,152 euro
Kjo shumë, e cila përbën mbi 50% të fondit mujor të pagave të ndërmarrjes, po e vështirëson ndjeshëm menaxhimin e burimeve financiare për funksionimin e saj.
“Trepça” operon përmes njësive të saj biznesore, por të ardhurat nga eksporti i koncentrateve dhe qiradhënia nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha njësitë, veçanërisht ato që për një kohë të gjatë nuk kanë arritur të krijojnë të hyra financiare.
“Për shkak të gjendjes së rëndë financiare, “Trepça” SH.A. u bën thirrje të gjithë punonjësve të përfshirë që të paraqiten pranë menaxhmentit për arritjen e një marrëveshjeje. Në të kundërtën, rrezikohet likuiditeti i ndërmarrjes dhe funksionimi i saj në të ardhmen”, thuhet ndërkaq në njoftim.