“Lajm historik” nga Trepça, 11 hektarë me vlerë prej 23 milionë euro i kthehen në menaxhim ndërmarrjes
Trepça Sh.A ka njoftuar një hap të rëndësishëm në procesin e rikthimit të pasurisë së saj pas luftës.
Për herë të parë, pas përfundimit të fazës së kthimit të pronave nën menaxhim të ndërmarrjes, ka nisur procesi i lirimit të pronave në Zonën Kadastrale Hajvali.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 11 hektarësh, e cila është pronë e Trepçës dhe që vlerësohet me një çmim tregu mbi 23 milionë euro. Ky zhvillim shihet si një hap vendimtar për të rivënë pasurinë e ndërmarrjes në funksion të zhvillimit dhe të ardhmes së saj.
“Trepça Sh.A njofton opinionin se kjo është vetëm fillimi i procesit të rikthimit të pronave dhe pasurisë së ndërmarrjes në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe të ardhmërisë së saj,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas paralajmërimeve, kjo pronë do të ofrohet së shpejti për shfrytëzim të përkohshëm, duke hapur mundësi të reja për investime dhe përdorim ekonomik. Palët e interesuara do të ftohen të aplikojnë në mënyrë zyrtare, gjithmonë në përputhje me procedurat ligjore dhe parimet e transparencës.
Ky hap konsiderohet si një nga arritjet më të rëndësishme të Trepçës në periudhën e pasluftës, duke treguar vendosmërinë e ndërmarrjes për të kthyer në funksion asetet e saj strategjike dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.