“Trainkos” apel urgjent: Ndaloni menjëherë hedhjen e gurëve ndaj trenave, rrezikoni jetë!

04.05.2025

Pas incidentit të rëndë të së shtunës në Grabovc të Obiliqit, ku një pasagjere u godit me gur në kokë gjatë udhëtimit me tren, kompania “Trainkos” ka lëshuar një apel urgjent publik, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të hedhjes së gurëve në drejtim të trenave.

Ngjarja e rrezikshme ndodhi më 3 maj 2025, kur një 26-vjeçare pësoi lëndime në kokë si pasojë e goditjes me gurë nga jashtë trenit në lëvizje. Ajo mori ndihmën e parë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas.

“Trainkos shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për incidentin e ndodhur më 3 maj 2025 në afërsi të fshatit Grabovc, ku një pasagjere 26-vjeçare u lëndua në kokë si pasojë e goditjes me gurë nga jashtë trenit në lëvizje. Ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit tonë, si dhe për integritetin e shërbimeve tona hekurudhore,” thuhet në reagimin e “Trainkos” përmes një postimi në Facebook.

Kompania njofton se menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga mjekët emergjentë, duke u transferuar më pas për trajtim të mëtejshëm në QKMF në Drenas. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e personave të implikuar në këtë incident të rrezikshëm. “Trainkos” dënon fuqishëm çdo akt dhune dhe vandalizmi ndaj trenave dhe pasagjerëve.

Në apelin e tyre, “Trainkos” bën thirrje të fortë për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla të rrezikshme si hedhja e gurëve apo çfarëdo objekti tjetër në drejtim të trenave në lëvizje.

“Këto veprime nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe të paligjshme, por përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve, stafit hekurudhor dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë shërbim publik. Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish. Gjithashtu, ftojmë çdo qytetar që sheh ose ka dijeni për persona që kryejnë këso aktesh, të lajmërojnë menjëherë organet kompetente ose Trainkos-in, në mënyrë që të ndërhyhet sa më shpejt dhe të parandalohet ndonjë tragjedi e mundshme. Siguria është përgjegjësi e të gjithëve. Le të bashkohemi për ta mbrojtur atë,” përfundon apeli urgjent i “Trainkos”.