Tragjedia në Jabllanicë, “I kemi gjetur nën rrënoja në bazë të telefonave”, flet familjari i tre viktimave në Gjakovë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku tre fëmijë të mitur kanë humbur jetën tragjikisht si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar.
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një objekt i pabanuar është shembur, duke zënë tre të mitur. Si pasojë e shembjes, tre fëmijë kanë humbur jetën.
lajm në zhvillim
13: 22Prokuroria Themelore në Gjakovë ka hapur rast për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” pas vdekjes tragjike të tre fëmijëve të shtunën pas shembjes së një objekti në Jabllanicë të Gjakovës.Prokuroria tha se po i ndërmerr “të gjitha veprimet e nevojshme” për zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike, për të cilin thotë se Policia e informoi në mesnatë.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon publikun se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, jemi njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve, tha Prokuroria.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në njoftim.
12:59Viktimat, të identifikuar si fëmijë nga familjet Ramaj, Mehmetaj dhe Morina, ishin duke luajtur pranë objektit në momentin fatal.Sipas burimeve nga KosovaPress, objekti i rrënuar, dikur një market, kishte kohë që nuk ishte në përdorim pas luftës. Pavarësisht kësaj, ai ishte kthyer në një vend të rrezikshëm për fëmijët që luanin aty pranë.
Familjarët e viktimave, të shokuar nga kjo humbje e madhe, kanë treguar për momentet e tmerrshme kur kanë gjetur trupat e pajetë të fëmijëve nën rrënoja. Përparim Ademaj, një familjar i viktimave, ka shpjeguar për KosovaPress se si fëmijët ishin gjetur pas orësh kërkimi, pasi njëri prej prindërve kishte vënë re se djali i tij nuk po përgjigjej në telefon.
“Rreth orës 10:30 mbrëmje janë gjetur. Kanë dal si rinia duke luajtur, shokë. Për viktimat kur kemi hetuar që janë këtu, iu kanë bërë telefonat në këtë objekt, kemi thirrur policinë, kanë ardhur policia shumë shpejt, ambulanca, zjarrfikësit, kur i kemi gjetur pa shenja jete… që shihet në bazë kamerave që është rrënuar… E kemi zbulu se i kemi lypë këndej në këtë lagje, që janë dalë me luajtur, kjo ka qenë në këmbë, kur e kemi pa të rrëzuar, kemi dyshuar që mos janë në të, i kemi thirrur në telefon, iu kanë bërë telefonat brenda.. Me traktor, duke i quar përpjetë, bazë telefonave i largonim”, ka thënë Ademaj.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shembjes së objektit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
09:40Një tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një objekt i pabanuar është shembur, duke zënë tre të mitur. Si pasojë e shembjes, tre fëmijë kanë humbur jetën.Lajmin e trishtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj. Sipas tij, rreth orës 22:50, policia është njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë e nevojshme policore, ekipet e emergjencës, ambulanca dhe zjarrfikësit. Fatkeqësisht, personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave në vendngjarje.
Prokurori i shtetit është njoftuar dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me të, për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Sipas majorit Milazim Lumi, i cili ka folur për RTKlive, në momentin tragjik, në vendngjarje janë gjetur tre të mitur, njëri 14 vjeç dhe dy të tjerë 15 vjeç. Ai ka shtuar se objekti që është shembur është një ndërtesë e vjetër, e mbetur pas Luftës.
Viktimat e kësaj tragjedie janë banorë të fshatit Jabllanicë. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur thellësisht komunitetin e këtij fshati dhe mbarë opinionin publik.