Tragjedi në Mal të Zi: Shtatë të vdekur, përfshirë dy fëmijë, pas një sulmi me armë zjarri në tavernë
Shtatë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën pas një krimi tragjik të ndodhur pasditen e sotme në qytetin Cetinje në Mal të Zi.
Sipas autoriteteve, ngjarja e rëndë ka ndodhur në një tavernë, ku një person ka hapur zjarr dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia malazeze ka shpallur në kërkim të dyshuarin kryesor, Aco Martinoviq, nga Cetinja. Katër persona të plagosur gjatë incidentit janë pranuar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike.
Në një thirrje urgjente, policia ka kërkuar nga banorët e Cetinjes të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, ndërsa njësitet speciale po vazhdojnë kërkimet për autorin e dyshuar.
Qeveria shpall tri ditë zie kombëtare
Në reagim ndaj tragjedisë, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka shpallur tri ditë zie kombëtare për datat 2, 3 dhe 4 janar. Gjatë këtyre ditëve, flamuri kombëtar do të ngrihet në gjysmë shtizë në të gjitha ndërtesat shtetërore, institucionet publike dhe organet e vetëqeverisjes lokale, në përputhje me Ligjin për Simbolet Kombëtare.
Qeveria i ka bërë thirrje komunave të anulojnë koncertet dhe aktivitetet festive të planifikuara për sonte (1 janar), në shenjë solidariteti dhe respekti për viktimat e tragjedisë.
Hetimet për këtë akt të rëndë kriminal po vazhdojnë, ndërsa qytetarët janë të këshilluar të tregojnë kujdes të shtuar derisa situata të jetë plotësisht nën kontroll.
Përditësim (02.01.2024 | 12:04):
Prokurorja e Malit të Zi, Andrijana Nastiq, ka konfirmuar se në Cetinje janë vrarë 12 persona, dhe se i dyshuari më pas e ka qëlluar veten.
Ajo kreu një hetim në gjashtë lokacione, pesë prej të cilave ishin ku ishin kryer vrasjet dhe në vendin ku i dyshuari vdiq.
Ai vrau katër persona në dy lokacione, dy fëmijë në të tretin dhe nga një person në dy të tjerat.
Katër persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në Qendrën Klinike.