Kurti për tragjedinë në Jabllanicë: Vdekja e tre fëmijëve ka trishtuar mbarë popullin, njëri prej tyre ishte djali i një polici kufitar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për familjarët e tre fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar.
Gjatë një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Kurti e cilësoi këtë humbje si një tragjedi që ka pikëlluar gjithë vendin. Ai bëri të ditur se njëri nga tre fëmijët e ndjerë ishte djali i një polici kufitar të Kosovës.
“Në emër të të gjithë juve që jeni këtu bashkë me neve, më lejoni t’i shprehim ngushëllimet tona të përbashkëta e më të sinqerta tri familjeve në Dukagjin që humbën tre fëmijët e tyre të moshës 14 dhe 15 vjeçare në Jabllanicë, familjes Mehmeti, Rama dhe Morina. Njëri prej këtyre fëmijëve që ka gjetur vdekjen me rastin e shembjes së një objekti të vjetër është edhe djali i një polici tonë kufitar,” tha Kurti.
Ai shprehu dhimbjen e tij për këtë tragjedi, duke theksuar se Qeveria e Kosovës do të qëndrojë pranë familjeve të viktimave në këto momente të vështira.
“Me këtë rast, kjo vdekje e trefishtë pa dyshim që ka pikëlluar mbarë popullin tonë, na ka trishtuar të gjithëve. Besoj që familjet do ta gjejnë forcën dhe do ta kenë qeverinë tonë pranë tyre në mënyrë që ta përballojnë këtë mort, ndërkaq tre djelmoshat u prehshin në paqe,” përfundoi Kurti.
Ngjarja tragjike ka prekur thellë qytetarët dhe institucionet, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e shembjes së objektit.