Tentoi të trafikonte një të mitur drejt Kosovës, arrestohet 22-vjeçari në kufirin e Morinës
Policia shqiptare ka njoftuar për një rast të rëndë të tentim-trafikimit të një të miture, i cili është parandaluar në kufirin e Morinës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrolleve rutinë dhe në bazë të analizës së riskut, kanë ndaluar një automjet në dalje të Shqipërisë. Automjeti drejtohej nga shtetasi E. G., 22 vjeç, banues në Berat, i cili udhëtonte së bashku me një tjetër pasagjer, A. K., 18 vjeç, si dhe me një shtetase 14-vjeçare.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu 22-vjeçar kishte për qëllim trafikimin e të miturës në Kosovë. Për këtë arsye, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme arrestuan në flagrancë:
- E. G., 22 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”;
- A. K., 18 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Ndërkohë, më 28 shtator 2025, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, familjarët e 14-vjeçares kishin kallëzuar largimin e saj nga banesa.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti vijojnë.