Fundjava “pushton” Shqipërinë: Mbi 10 mijë kosovarë kalojnë kufirin drejt bregdetit
Fluks i madh udhëtarësh është shënuar këtë fundjavë në pikën kufitare të Morinës, ku mijëra qytetarë nga Kosova kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për pushime verore.
Sipas të dhënave të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Kukës, nga mëngjesi i së shtunës deri në orët e pasdites kanë hyrë në territorin shqiptar 10 mijë e 874 shtetas të Kosovës, me gjithsej 3 mijë e 712 automjete.
Pika kufitare e Morinës mbetet një nga hyrjet më të frekuentuara gjatë sezonit turistik, pasi shumë kosovarë zgjedhin plazhet shqiptare si destinacion për pushimet e tyre.
Destinacionet më të kërkuara këtë periudhë janë bregdeti i Durrësit, Shëngjinit, Velipojës, Vlorës dhe Riviera shqiptare, ku pritet që numri i vizitorëve të rritet edhe më shumë gjatë muajve të verës.
Për shkak të qarkullimit të lartë, autoritetet kufitare kanë shtuar masat për menaxhimin e fluksit dhe për të reduktuar pritjet në pikat hyrëse.
