Tentativa e dhjetë për konstituimin e Kuvendit, njohësit pesimistë për zgjidhje
Nesër pritet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të bëjnë përpjekjen e dhjetë për të konstituuar legjislaturën e nëntë.
Megjithatë, duke analizuar qëndrimet e ngurta të partive politike, njohësit e zhvillimeve politike nuk shohin ndonjë shenjë pozitive drejt formimit të institucionit më të lartë ligjvënës të vendit.
Kanë kaluar pothuajse tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit, por Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja të konsoliduara. Përplasjet e thella mes pozitës dhe opozitës duket se po e çojnë vendin drejt një bllokade politike të zgjatur. Partitë opozitare, PDK dhe LDK, vazhdojnë të mbajnë qëndrime të palëkundura në lidhje me procesin e konstituimit.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kritikuar tentativat për të ndryshuar procedurat e brendshme të Kuvendit në lidhje me votimin e kryeparlamentarit, duke e cilësuar këtë si precedent të rrezikshëm dhe të paprecedentë në historinë e Kosovës.
Në të njëjtën linjë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka quajtur këtë qasje të pozitës si abuzim me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe si strategji bllokuese të LVV-së për të penguar krijimin e institucioneve të reja.
Ndryshe nga PDK dhe LDK, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka lënë të hapur mundësinë e mbështetjes së një figure unifikuese nga Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit. I pyetur nëse do të votonin Glauk Konjufcën, ai u përgjigj se nuk kanë diskutuar për këtë emër, por nuk e sheh si problem.
Ndërkohë, analistët politikë paralajmërojnë pasoja serioze për demokracinë e vendit nëse vazhdon kjo situatë. Artan Muhaxhiri ka theksuar mungesën e dialogut normal mes pozitës dhe opozitës, duke vënë në dukje hendekun e madh mes akterëve politikë dhe mungesën e indikacioneve për normalitet dhe racionalitet në vendimmarrje, sidomos duke pasur parasysh krizën e thellë ekonomike.
Analisti Arbnor Sadiku e sheh si të vetmen mundësi një koalicion të madh, të cilin LDK e ka refuzuar. Nëse kjo nuk ndodh, sipas tij, e vetmja rrugë e mbetur janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Muhaxhiri dhe Sadiku kanë kritikuar gjithashtu propozimin për votim të fshehtë, të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e kujtuar kësaj partie që në të kaluarën ka kërkuar transparencë të plotë. Me një situatë të tillë të ngurtësuar, e ardhmja politike e Kosovës mbetet e paqartë dhe me rrezikun e thellimit të bllokadës institucionale.