Të hyrat tatimore arrijnë 637.3 milionë euro në 7 muaj – ATK: Rritje prej 10.4% dhe besim i shtuar i qytetarëve
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë arkëtuar 637.3 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 60.1 milionë euro ose 10.4% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Foto: Ilustrim
Ky progres, sipas ATK-së, dëshmon për qëndrueshmërinë fiskale të shtetit dhe për një vetëdije në rritje të qytetarëve dhe bizneseve në raport me rëndësinë e kontributit tatimor në ndërtimin e një shteti funksional dhe të drejtë.
“Shifrat e reja tregojnë se qytetarët dhe bizneset janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rolin që ka kontributi i tyre në financimin e shërbimeve publike dhe forcimin e shtetit ligjor,” thuhet në njoftimin zyrtar të ATK-së.
Institucioni thekson se këto rezultate janë fryt i një pune ekipore, vizioni të qartë, dhe qasjes moderne në ofrimin e shërbimeve tatimore. Po ashtu, theksohet se besimi i ndërsjellë me tatimpaguesit është thelbësor për këtë sukses të qëndrueshëm.
“Për ne, çdo euro e mbledhur është një hap drejt shtetit më funksional dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët,” thuhet tutje në komunikatë.
ATK ka falënderuar të gjithë kontribuuesit dhe ka përsëritur përkushtimin për të avancuar më tej përmes transparencës, efikasitetit dhe teknologjisë moderne, në mënyrë që të forcojë besueshmërinë dhe performancën institucionale.