Të hënën pritet që mësimi të fillojë në shumë shkolla, Qehaja: Sinjal i mirë i vetëdijesimit të mësimdhënësve

16.09.2022

Mbi 300 mijë nxënësve në Kosovë po iu mohohet e drejta për shkollim, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës vendosi për grevë në arsim. Tash kur kanë kaluar 24 ditë nga fillimi i grevës, disa shkolla kanë filluar t’i rikthehen procesit mësimor. Në Gjakovë janë pesë shkolla të cilat kanë marrë vendim […]

Të hënën pritet që mësimi të fillojë në shumë shkolla, Qehaja: Sinjal i mirë i vetëdijesimit të mësimdhënësve Foto: Ilustrim

Mbi 300 mijë nxënësve në Kosovë po iu mohohet e drejta për shkollim, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës vendosi për grevë në arsim.

Tash kur kanë kaluar 24 ditë nga fillimi i grevës, disa shkolla kanë filluar t’i rikthehen procesit mësimor.

Në Gjakovë janë pesë shkolla të cilat kanë marrë vendim që ta ndërpresin grevën, ndërsa në Podujevë, sipas Drejtorisë së Arsimit, gjysma e shkollave i janë rikthyer procesit mësimor.

Numri i nxënësve që do t’i kthehen bankave shkollore pritet të rritet nga e hëna e 19 shtatorit.

Kështu bëri të ditur kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, në një prononcim për Telegrafin.

Ai tha se dëmet që janë shkaktuar te fëmijët dhe prindërit nga kjo grevë janë të mëdha dhe pengojnë kthimin në normalitet për një periudhë të gjatë.

“Ne po marrin informacione se shumë shkolla pritet të fillojnë mësimin javën që vjen dhe kjo na gëzon. Mësimdhënësit duhet ta pranojnë që dëmtimi i mëtejshëm i fëmijëve nuk zgjidh asgjë dhe krijon situatë shumë të rënduar psikike dhe emocionale tek prindërit e fëmijët, pasoja të cilat do të pengojnë kthimin në normalitet për një kohë të gjatë”, u shpreh Demi.

Sipas tij, sa më shumë zgjatë greva aq më shumë zhvlerësohet institucioni i shkollës, dhe “nga kjo nuk fitojmë asnjë”.

E drejtuesi i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, për Telegrafin deklaroi se rikthimi në proces mësimor është sinjal i mirë i një vetëdijesimi të rritur të mësimdhënësve që mjeti sindikal i ndërprerjes së procesit mësimor nuk është racional./Telegrafi/