Takim me bursistët, Kurti: Më gëzon vullneti juaj për të vijuar studimet

26.12.2024

Kryeministri takon studentët e bursave, i inkurajon të studiojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u takua me studentët bursistë të financuar nga Ministria e Arsimit.

Në një atmosferë festive, të mbajtur në sallën 1 Tetori, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e arsimit të lartë si një investim në të ardhmen e vendit.
“Historia na ka treguar se studimet e larta janë çelësi për suksesin personal dhe zhvillimin e një kombi,” u shpreh kryeministri Kurti, duke shtuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë të rinjtë në realizimin e ëndrrave të tyre akademike.
Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti theksoi rritjen e numrit të bursave të ofruara nga Qeveria, duke përfshirë bursa për studentët e shkëlqyer, studentët në nevojë, studentët me aftësi të kufizuara, si dhe për studentët nga komunitetet e margjinalizuara. Ai veçoi edhe mbështetjen e veçantë për vajzat dhe gratë në fushat STEM, duke inkurajuar më shumë të reja të studiojnë shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
“Kemi arritur të rrisim numrin e studenteve në STEM me 6605 përfituese deri më tani,” u shpreh kryeministri, duke vlerësuar këtë si një sukses të rëndësishëm.
Një tjetër arritje e rëndësishme është rritja e interesit për studimet në drejtimet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe. Falë bursave të ofruara nga MASHTI, numri i aplikimeve për këto drejtime është rritur në mënyrë të konsiderueshme.
Ministrja Nagavci, nga ana e saj, theksoi se potenciali i të rinjve është pasuria më e madhe e Kosovës dhe se Qeveria do të vazhdojë të investojë në arsim dhe në zhvillimin e tyre profesional.
Në këtë takim, studentët bursistë patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe të diskutojnë me kryeministrin dhe ministren për sfidat dhe mundësitë që u ofron arsimi i lartë.