Sulmi me granatë dore në Zveçan, Bislimi: “Dora e djathtë” e Radoiçiqit është i dyshuari
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar Listën Serbe dhe zyrtarë të lartë serbë për hipokrizitë në lidhje me sulmet e fundit në Kosovë, duke përfshirë shpërthimin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc.
Në një postim në rrjetet sociale, Bislimi ka theksuar se Lista Serbe dhe zyrtarët serbë janë munduar të distancohen publikisht nga këto sulme, por se në të njëjtën kohë vazhdojnë të mbështesin dhe të financojnë persona të përfshirë në aktivitete destabilizuese në Kosovë.
“Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit”, ka shkruar Bislimi.
Zëvendëskryeministri ka lidhur sulmin në Ibër-Lepenc me sulme të tjera të mëparshme, duke përfshirë sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan. Sipas Bislimit, “dora e djathtë” e Milan Radoiçiqit, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari kryesor për këtë sulm.
“Dora e djathtë e tij [Radoiçiqit], Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës”, ka shtuar Bislimi.