Kurti e Bislimi takojnë përfaqësuesit e QUINT-it dhe BE-së – diskutojnë sfidat politike, ekonomike dhe sigurinë në vend
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, kanë mirëpritur sot paradite ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në takim, u diskutuan çështje të shumta aktuale, duke filluar nga raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe rruga për integrim, moskonstituimi i deritanishëm i Kuvendit dhe situata e sigurisë në vend. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rreziqeve nga dezinformimi dhe lajmet e rreme, arrestimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe gjatë kalimit të tyre tranzit në Serbi, si dhe arrestimit në Kosovë të një zyrtari të qeverisë serbe.
Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi informuan ambasadorët për ecurinë ekonomike dhe arritjet e politikave të qeverisë gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Sipas të dhënave të prezantuara, qarkullimi i bizneseve për gjashtë muajt e parë të vitit ka arritur në 10.7 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe duke regjistruar një vlerë rekord.
Po ashtu, u bë e ditur se shpenzimet kapitale të qeverisë në këtë periudhë janë për 24% më të larta sesa në gjysmën e parë të vitit 2024, ndërsa ekonomia e vendit është rritur me 3.61% të Bruto Produktit Vendor në çerekun e parë të vitit. Në bazë të trendeve aktuale, numri i bizneseve të reja të regjistruara këtë vit pritet të tejkalojë rekordin e vitit të kaluar prej 12,051 biznese.
Nga skema e punësimit “Qeveria për Familjet” deri tani janë mbështetur 5,163 familje që më parë nuk kishin asnjë anëtar të punësuar, ku 809 përfitues vijnë nga katër komunat në veri të Kosovës. Ndërkohë, në fushën e arsimit, është theksuar anëtarësimi i Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR) dhe së fundmi në Aleancën Evropiane për Praktikën Profesionale (EAfA).