Sulmet nga qentë endacakë, rrezik e pa zgjidhje!

19.03.2021

Sulmi nga qentë endacakë është njëri nga problemet e qytetarëve në tërë vendin, të tilla raste raportohen shumë shpeshë në Policinë e Kosovës. E një rast i kësaj natyre ka ndodhur ditë më parë edhe në Komunën e Suharekës, ku si shkak i sulmit nga një qenë endacakë kanë mbetur të lënduar 4 persona, shkruan […]

Sulmet nga qentë endacakë, rrezik e pa zgjidhje! Foto: Ilustrim

Sulmi nga qentë endacakë është njëri nga problemet e qytetarëve në tërë vendin, të tilla raste raportohen shumë shpeshë në Policinë e Kosovës.

E një rast i kësaj natyre ka ndodhur ditë më parë edhe në Komunën e Suharekës, ku si shkak i sulmit nga një qenë endacakë kanë mbetur të lënduar 4 persona, shkruan SuharekaOnline.

Katër anëtarë të një familje në Suharekë, janë sulmuar mesditën e së premtes, në hyrje të banesës së tyre nga një qen i tërbuar. Nga lëndimet që kanë marrë, të katërtit janë detyruar që të marrin edhe trajtim mjekësor.

Njëri nga të lënduarit ka rrëfyer për Gazetën Express se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja. Sipas tij, qeni ishte ngjitur në katin e katërt të objektit dhe e kishte sulmuar vëllanë e tij. Më pas kanë ndërhyrë edhe familjarët e tjerë.

“Qeni ka ardh në katin e katërt të banesës dhe e ka sulmu vëllanë. Edhe kemi qenë katër anëtarë të familjes që kemi ndërhy për mos me u rreziku vëllau, por që na ka sulmu edhe neve”, ka treguar njëri nga të lënduarit.

Ai kishte thënë se për të mos i rrezikuar edhe banorët e tjerë janë detyruar që ta mbysin qenin me një thikë shtëpie.

“5-6 veta e kena kap qenin dhe e kemi ngreh deri në oborr dhe e kemi mbyt meqenëse dojke hala me na hangër” ka treguar i lënduari.

Ndërsa lidhur me rastet e tilla nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në tri vitet e fundit në polici janë raportuar rreth 90 raste të sulmit nga qentë endacakë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, pa përfshirë muajin dhjetor, janë raportuar 28 raste të tilla.

E përveç sulmeve nga qentë endacakë, në Polici janë raportuar edhe raste të sulmeve nga qentë me pronarë, ku në tri vjetët e fundit janë raportuar 29 raste të tilla.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se janë duke trajtuar problematikën e qenve endacakë në gjithë vendin.

Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi, i ka thënë Gazetës Express se kanë ndarë 700 mijë euro për trajtimin e kësaj problematike.

“Tani ketë vit, AUV nga projektet e veta ka ndarë 700,000.00 € për trajtimin e kësaj problematike, me këtë buxhet është e paraparë në kontratë qe të zgjasë deri ne muajin Prill 2021. Deri me tani janë trajtuar rreth 5 mijë qen, dhe deri ne fund të projektit parashihet te trajtohen edhe rreth 3 mijë qenë të tjerë nga praktikat veterinare të cilat nuk e kanë shpenzuar gjithë buxhetin sipas kontratës”, ka deklaruar Thaçi.

Tutje, Thaçi ka deklaruar se përgjegjësia për trajtimin e qenve endacakë është e komunave.

“Bazuar ne Ligjin e Veterinarisë 21/2004, Neni 13, Ligjin e Përkujdesjes ndaj kafshëve si dhe aktet nënligjore, përgjegjësi për trajtimin e qenve endacak është e komunave si mandat ligjore. Këtë e dëshmon  edhe vetë raporti me rekomandime i ardhur nga institucioni i Avokatit të Popullit:

Kemi hartuar planin e veprimit 2021-2025 për trajtimin e qenve endacak në Kosovë, dokument i cili i është dërguar qeverisë dhe asociacionit të komunave të Kosovës. Aty janë të paraqitura të gjitha  informatat mbi zgjidhjen e problemit”, thuhet në përgjigjet e Thaçit.