Sukses i UP-së, Fakulteti i Edukimit renditet ndër 600 më të mirët në botë

30.05.2025

Një lajm i shkëlqyer vjen nga Universiteti i Prishtinës (UP). Fakulteti i Edukimit është renditur ndër 601 institucionet më të mira në botë në fushën e edukimit, sipas klasifikimit prestigjioz të platformës ndërkombëtare Times Higher Education.

Ky arritje e rëndësishme dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm dhe strategjitë e efektshme të ndjekura nga ky fakultet. Ky sukses shënon një moment të veçantë edhe për vetë Universitetin e Prishtinës, i cili në rangimin e përgjithshëm është pozicionuar në kategorinë 1500+.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi, shprehu entuziazmin për këtë arritje, duke e cilësuar atë si rezultat i angazhimit të palodhshëm. Ai veçoi disa faktorë kyç që kontribuuan në këtë sukses: rritjen e fondeve të siguruara nga jashtë gjatë pesë viteve të fundit, pjesëmarrjen aktive në bashkëpunime ndërkombëtare, përmirësimin e raportit staf-student nga 1:52 në vitin 2020 në 1:25 në vitin akademik 2024/2025, si dhe rritjen e publikimeve shkencore dhe bashkëpunimin e ngushtë me sistemin shkollor.

Në kuadër të përpjekjeve për ndërkombëtarizim, Fakulteti i Edukimit ka lansuar programin e doktoratës me diplomë të dyfishtë në bashkëpunim me Universitetin e Lubjanës, i cili zhvillohet në gjuhën angleze. Është vënë në pah gjithashtu se Fakulteti ka pasur një performancë më të mirë në sigurimin e fondeve të jashtme në krahasim me njësitë e tjera akademike brenda UP-së.

“Ne jemi të vetëdijshëm që përmirësimi i cilësisë së mësimdhënësve është një proces i gjatë, por jemi të përkushtuar që përmes planeve të qarta dhe menaxhimit të duhur të resurseve, të ndikojmë në cilësinë e arsimit dhe të diplomuarve tanë”, u shpreh dekani Saqipi.

Rangimi Times Higher Education njihet globalisht si një vlerësues i besueshëm i institucioneve të arsimit të lartë, duke u bazuar në kritere të rëndësishme si cilësia e mësimdhënies, hulumtimi, ndikimi ndërkombëtar dhe lidhja me industrinë. Çdo vit, mbi 2,000 universitete nga më shumë se 115 vende marrin pjesë në këtë proces rangimi. Ky sukses i Fakultetit të Edukimit të UP-së është një arritje e rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë.