Sot mbahet seanca e shtatë për konstituimin e Kuvendit, pa ndryshim kandidature nga LVV

27.04.2025

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, dështoi sërish të premten të marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post.

Ajo mori vetëm 57 vota nga deputetët e pranishëm. LVV-ja po vazhdon të insistojë në kandidaturën e Haxhiut, pavarësisht kundërshtimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat e konsiderojnë atë si një figurë përçarëse.

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut politik deri më tani kanë qenë të pasuksesshme. Një takim “konsultativ” i thirrur nga LVV-ja u mbajt të mërkurën, pas kërkesës së nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, për “kohë shtesë” dhe nevojën për një “marrëveshje politike” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, vazhdimi i seancës të premten dëshmoi se ky takim nuk solli ndonjë përparim.

Sot, e diel 27 prill, në orën 10:00, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish në një përpjekje tjetër për të thyer ngërçin institucional dhe për të konstituuar organin ligjvënës. Ende mbetet e paqartë nëse partitë politike do të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën për formimin e qeverisë së re.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i LVV-së Avni Dehari, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë të premten se LVV-ja nuk e ka ndryshuar kandidaturën e Albulena Haxhiut dhe nuk ka ndonjë përpjekje tjetër në proces për të diskutuar me partitë e tjera opozitare për të gjetur një zgjidhje të mundshme.