Sindikata e Zjarrfikësve kërkon reagim urgjent nga institucionet: Dinjiteti ynë po nëpërkëmbet me vite

04.05.2023

Me rastin e 4 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës përmes një reagimi publik ka kërkuar nga institucionet e vendit reagim urgjent për të përmirësuar kushtet e tyre të punës. Në komunikatën për media nga sindikata kanë deklaruar se kjo ditë zjarrfikësit në Kosovë i gjen në gjendje […]

Sindikata e Zjarrfikësve kërkon reagim urgjent nga institucionet: Dinjiteti ynë po nëpërkëmbet me vite Foto: Zjarrfikësit e Komunës së Suharekës

Me rastin e 4 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës përmes një reagimi publik ka kërkuar nga institucionet e vendit reagim urgjent për të përmirësuar kushtet e tyre të punës.

Në komunikatën për media nga sindikata kanë deklaruar se kjo ditë zjarrfikësit në Kosovë i gjen në gjendje jo të mirë, me shumë paqartësi, të paorganizuar, të padefinuar sa i përket kompetencave menaxhuese, status të pazgjedhur dhe gjithashtu edhe sa i përket të drejtave të punëtorëve, (shkelje dhe diskriminime), mungesë të pajisjeve të punës, kushteve të punës dhe aspekte të tjera.

“Sfidë kryesore për zjarrfikësit e Kosovës mbetet moszbatimi i ligjeve, mosdefinimi i kompetencave në mes të nivelit qendror dhe lokal, mungesa e planifikimit buxhetor, mungesa e investimeve, ndarja e përgjegjësive, se kush duhet të përkujdeset për zjarrfikësit. Kjo shkakton probleme dhe zjarrfikësit pësojnë pikërisht nga ky dualizëm i krijuar. Kjo gjendje ka paraqitur problem edhe në përfitimin dhe realizimin e të drejtave që ju takojnë me ligj, në kompensimin e ndërrimeve të natës, orët jashtë orarit, festave dhe benefiteve tjera, këto benifite nuk janë realizuar pikërisht për shkak të mosdefinimit të kompetencave dhe dualizmit të krijuar në mes te nivelit qendror dhe lokal”, thuhet mes tjerash.

Sipas sindikatës, zjarrfikësit janë pa përkujdesje institucionale, pasi “askush nuk merr përgjegjësitë që iu takojnë si punëdhënës që të përkujdesen për të përmbushur obligimet që dalin nga aktet ligjore dhe nga kontrata e themelimit të marrëdhënies së punës dhe kjo gjendje e krijuar i ka irrituar zjarrfikësit, ka krijuar gjendje të pakuptimtë, të papranuar dhe të papërballueshme”.

Sindikata konsideron se këto shkelje ligjore, diskriminime po rëndojnë mbi supet e zjarrfikësve.

Sfidë tjetër thuhet se është numri i vogël i zjarrfikësve, pajisjet dhe mjetet e punës në mungesë, pajisje të patestuara sipas deklaratës së prodhuesit, mosaplikimi i masave për mbrojtje dhe siguri në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore, diskriminimet dhe shkeljet e të drejtave të kësaj kategorie të të punësuarve në nivel vendi.

“Mbesim me shpresë që ky vit do të jetë vit i kthesës, vit i realizimit të të drejtave dhe përmirësimit të gjendjes ne përgjithësi për zjarrfikësit e Kosovës. Prandaj, edhe njëherë apelojmë te institucionet shtetërore, Qeveria e Kosovës, ministritë përkatëse, kryetarët e komunave që t’i harmonizojnë qëndrimet dhe urgjentisht të angazhohen që kjo gjendje e krijuar të tejkalohet dhe zjarrfikësve të iu kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur me vite”.

“Të krijohen kushte normale për punë, të ngritën kapacitetet operative që shërbimi i zjarrfikësve të trajtohet ashtu siç e meritojnë shpëtimtarët kudo në mbarë botën. Gjithashtu, i ftoj institucionet nga niveli qendror, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, AME dhe të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës që me rastin e Ditës se Zjarrfikësve t’i vizitojnë shërbimet e zjarrfikjes dhe shpëtimit në Kosovë, që nga afër t’i shohin se me çfarë problemesh ballafaqohen”, përfundon komunikata.