Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike: Vera e vitit 2024, më e nxehta në historinë e Tokës
Vera e 2024-ës ishte më e nxehta në historinë e Tokës prej që regjistrohen temperaturat, ka bërë të ditur Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike “Copernicus”.
Sipas “Copernicus”, kjo verë ishte më e nxehta në Europë me 1.51 shkallë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020, duke rritur rekordin e vitit 2022, ka shkruar BBC.
Gushti ishte gjithashtu muaji i trembëdhjetë në një periudhë prej 14 muajsh në të cilën temperatura mesatare globale ishte për 1.5 shkallë Celsius mbi nivelet para-industriale.
Pavarësisht se Britania e Madhe kishte verën më të freskët prej vitit 2015, shumica e Europës përjetoi verë më të nxehtë se mesatarja, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Deri këtë vit, temperatura globale mesatare ka qenë për 0.7 shkallë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020, që është rekordi më i lartë.
Andaj ka gjasë që viti 2024 të jetë më i nxehti që bota ka regjistruar ndonjëherë, ka njoftuar “Copernicus”, që është mekanizëm i klimës i Bashkimit Europian.
Vetëm vjet temperatura mesatare botërore arriti shkallën më të lartë.
“Zhvillimet të lidhura me temperaturën ekstreme kanë dëshmuar se kjo verë do të jetë vetëm më e ngjeshur me zhvillime të ngjashme” ka thënë drejtoresha e “Copernicus”, Samantha Burgess.
Në mbarë Europën, këtë vit janë thyer rekordet e temperaturave verës. Austria pati verën më të nxehtë që është regjistruar ndonjëherë.
Spanja kishte gushtin më të nxehtë ndonjëherë, sikur se edhe Finlanda, derisa Zvicra njoftoi se ishte gushti i dytë më i nxehtë në historinë e saj.
Përderisa temperaturat e larta në mbarë Europën ishin fokusuar në zonat jugore dhe lindore, më freskët ishte në Republikën e Irlandës, Mbretërinë e Bashkuar, pjesët perëndimore të Portugalisë, Islandës dhe Norvegjisë jugore.