Përgatituni për vapën afrikane, javën që vie temperaturat deri në 40°C

19.07.2025

Kosovën e pret një tjetër javë me vapë përvëluese. Sipas të dhënave të fundit të motit, vendi do të përballet me valën e katërt të nxehtësisë të kësaj vere, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40°C.

Pritet që temperaturat ekstremisht të larta, mbi 35°C dhe deri në 38°C, të vazhdojnë nga fillimi i javës dhe të qëndrojnë deri të enjten apo edhe të premten e javës së ardhshme. Lokalisht, ka mundësi që këto vlera të arrijnë deri në 40°C, madje me potencial për të regjistruar ndonjë vlerë mbi 40°C, e cila do të ishte një rekord kombëtar.

Netët tropikale, me temperatura minimale mbi 20°C, do të jenë të pranishme në disa pjesë të vendit, duke e bërë pushimin gjatë natës pothuajse të pamundur pa ajër të kondicionuar apo freskuese.

Një lehtësim i shkurtër pritet gjatë fundjavës së ardhshme. Parashikohen mundësi për vranësira kalimtare dhe ndonjë rrebesh shiu, ndërsa temperaturat do të zbresin më afër normaleve, duke arritur deri në 29°C dhe 30°C.

Megjithatë, ditët e fundit të korrikut do të sjellin sërish mot kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare. Temperaturat do të mbeten mbi mesataren, deri në 32°C dhe 33°C, dhe mundësitë për vlera më të larta nuk përjashtohen.