SBASHK-u: Sot nuk ka mësim, punëtorët e arsimit në protestë

20.05.2022

Një vendim i tillë sipas komunikatës së SBASHK-ut është e bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së. “Duke u bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së, në orët e mbrëmjes së të mërkurës është mbajtur takim i jashtëzakonshëm i SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve. […]

SBASHK-u: Sot nuk ka mësim, punëtorët e arsimit në protestë Foto: Ilustrim

Një vendim i tillë sipas komunikatës së SBASHK-ut është e bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së.

“Duke u bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së, në orët e mbrëmjes së të mërkurës është mbajtur takim i jashtëzakonshëm i SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve. Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit.

Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftimin e kësaj sindikate thuhet se ndien keqardhje për gjendjen e krijuar e cila është pasojë e mungesës së gatishmërisë së ekzekutivit për dialog dhe angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në arsim, por edhe në sektorë tjerë.

Kjo sindikatë ka ftuar edhe përfaqësuesit e Këshillave të prindërve që të jenë pjesë e kësaj proteste.

“Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse shkollat janë pa personelin arsimor, të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar të protestojnë në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre.

Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës, kurse nga anëtarësia jonë në çerdhe kërkojmë mirëkuptim në mënyrë që puna atje të mos ndalet nesër, por përfaqësues nga këto institucione të marrin pjesë në protestë pa e cenuar rrjedhën e procesit të punës në çerdhe.

Të lutemi bashkë që Qeveria të reflektojë dhe të mos kemi arsye të shkojmë drejt veprimeve edhe më radikale, thuhet tutje në komunikatë.

E lidhur me këtë ka reaguar Ministria e Arsimit. Ata thonë se humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim.

“Ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore dhe me përgjegjësi të kryejnë detyrën e tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.

Reagimi i plotë i MASHTIT:

Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka vëmendjen dhe fokusin e plotë në avancimin e politikave në arsim, si dhe vëmendje të shtuar te puna e mësimdhënësve.

Ndër të tjera, Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë buxhetin për normat e mbi 2 mijë mësimdhënësve që konsiderohen tepricë, për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve, janë punësuar 100 aistentë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe është ndarë buxheti edhe për 300 të tjerë për vitin e ardhshëm, ndërsa është adresuar edhe një shqetësim i vjetër, duke u ndarë kështu buxheti prej 1 milion eurosh për mësimdhënësit me sëmundje të rënda. Janë dhe një varg politikash tjera që synojnë përmirësimin e kushteve të punës, por edhe të performancës së mësimdhënësve.

Prandaj, diskutimet për greva dhe protesta të mësimdhënësve nuk do të duhej të bëheshin në këtë kohë, kur është edhe fundi i vitit shkollor dhe për më tepër për faktin se në këtë periudhë po punohet me kujdes të shtuar që të kemi një Ligj sa më të mirë të pagave për rreth 80 mijë punëtorët e sektorit publik, që është edhe kërkesë e SBAShK-ut.

Pretendimet e krerëve të SBAShK-ut për arsyet e mosmbajtjes së mësimit dhe  mbajtjes së grevës nuk përkojnë as me gjendjen në arsimin parauniversitar, as me nevojat për ta përmirësuar atë. Ato thjesht janë instrumentalizim i një të drejte sublime siç janë e drejta e grevës dhe protestës për punëtorët.

Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n. Pandemia ka shkaktuar humbje të mëdha përgjatë dy viteve të fundit në arsim dhe ka ndikuar edhe në rezultatet e të nxënit, të cilat duhet të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përmirësojmë.

MAShTI do të sigurohet që të kompenzohet çdo orë e humbur e mësimit për fëmijët tanë, të cilët tashmë kanë humbur shumë gjatë kohës sfiduese të pandemisë.

Ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore dhe me përgjegjësi të kryejnë detyrën e tyre.