SBASHK: Të enjten grevë një orëshe – po përgatitemi për grevë të përgjithshme

10.05.2022

Greva një orëshe do të mbahet si shkak i mos përgjigjes në kërkesat e tyre nga ana e Qeverisë. SBASHK-u e cila drejtohet nga kryesindikalisti, Rrahman Jasharaj, përmes një njoftimit kanë kërkuar që nxënësit në shkolla dhe në çerdhe të dërgohen një orë më vonë. “Duke u angazhuar që të mos dëmtohet procesi mësimor organizuam […]

SBASHK: Të enjten grevë një orëshe – po përgatitemi për grevë të përgjithshme Foto: Ilustrim

Greva një orëshe do të mbahet si shkak i mos përgjigjes në kërkesat e tyre nga ana e Qeverisë.

SBASHK-u e cila drejtohet nga kryesindikalisti, Rrahman Jasharaj, përmes një njoftimit kanë kërkuar që nxënësit në shkolla dhe në çerdhe të dërgohen një orë më vonë.

“Duke u angazhuar që të mos dëmtohet procesi mësimor organizuam protestën e 8 prillit, që ishte ditë pushimi, dhe me arsye pritem që Qeveria  do ta kuptojë realitetin e do të nis me dialogun e mirëfilltë, por kjo nuk ndodhi dhe prandaj duke u bazuar në zërin e anëtarësisë  jemi të detyruar të vazhdojmë me veprime sindikale dhe njëri prej tyre është edhe greva njëorëshe më 12 maj  në tërë sistemin arsimit, që nga çerdhet e deri në Universitete”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Po ashtu, në njoftim theksohet se: “Pasi që ora e parë e punës në çerdhe, shkolla dhe universitete do të jetë grevë më 12 maj ju drejtohemi me apelin për mirëkuptim prindër dhe nxënës të dashur duke ju lutur që më 12 maj fëmijët në çerdhe t’i dërgoni një orë më vonë krahasuar me orarin e ditëve tjera. Po ashtu edhe në shkolla fëmijët le të nisen për të arritur me kohë për në orën e dytë të mësimit”.

SBASHK shton se këtë apel dhe lutje për prindërit po bëjnë për hir të sigurisë së fëmijëve.

Nga kjo sindikatë kanë theksuar se ka kohë që bashkë me sindikatat tjera kanë paralajmëruar veprime sindikale pasi që Qeveria e Kosovës, edhe përkundër angazhimeve të tyre të shumta e dërgimit të ftesave për takime, me qëllim që kërkesat tona legjitime të gjejnë zgjidhje përmes dialogut, nuk  është përgjigjur dhe nuk ka shprehur vullnet për takime e angazhime të përbashkëta.

“Kërkojmë mirëkuptim edhe nga studentët sepse  administrata  dhe stafi tjetër në grevë do të jenë nga ora 10 deri në orën 11.

Të angazhohemi e të urojmë bashkë që Qeveria të angazhohet sinqerisht që në takime përmbajtjesore me sindikatat të ofroj zgjidhje të  pranueshme  për kërkesat legjitime në mënyrë që të mos ketë nevojë  për protesta e grevë të përgjithshme, për çka SBASHK dhe sindikatat tjera janë duke u përgatitur sepse  ky është vullneti dhe zëri i anëtarësisë”, thuhet në njoftim.