Rritja e pagës minimale, mund të ndikojë në rritje të informalitetit

15.04.2022

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro neto, nga e cila pritet të përfitojnë 300 mijë punëtorë. Me projektligjin e ri, punëtorët që marrin pagë minimale do të lirohen edhe nga tatimi. Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë për Radio Kosovën, se kjo rritje është […]

Rritja e pagës minimale, mund të ndikojë në rritje të informalitetit Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro neto, nga e cila pritet të përfitojnë 300 mijë punëtorë. Me projektligjin e ri, punëtorët që marrin pagë minimale do të lirohen edhe nga tatimi.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë për Radio Kosovën, se kjo rritje është e vonuar, ndonëse bënë thirrje për mbikëqyrje të bizneseve, për shkak të rrezikut të informalitetit.   

“Duhet dialog i mirëfilltë që kjo pagë të mos ndikojë në rritjen e informalitetit, ku shumë biznese do të tentojnë të paguajnë punëtorët, duke mos i regjistruar në tatim. Në këtë drejtim, është koha kur duhet të ketë implementim dhe jo vetëm votim, tha Gërxhaliu.

Në kohën kur inflacioni po shënon rritje çdo ditë, kjo është e pamjaftueshme për shportën mujore, thotë profesori i ekonomisë, Blerim Ramosaj.

Ndryshe, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një konferencë së fundi, ka thënë se vlera prej 250 eurosh e pagës minimale është e papranueshme. Sipas tij, ajo do të duhej të ishte së paku 400 euro. Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga ASK, në Kosovë inflacioni në muajin mars ka arritur në 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.