Rreziku për zjarre në Kosovë, Aliu: Qytetarët të kenë kujdes e të mos ndezin zjarre

26.07.2023

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar këto ditë, pasi mund të ketë rrezik për zjarre. Aliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se qytetarët duhet të bëjnë kujdes pasi nga erërat e nxehta që do ta shoqërojnë vendin zjarri mund të përhapet edhe në […]

Rreziku për zjarre në Kosovë, Aliu: Qytetarët të kenë kujdes e të mos ndezin zjarre Foto: Ilustrim

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar këto ditë, pasi mund të ketë rrezik për zjarre.

Aliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se qytetarët duhet të bëjnë kujdes pasi nga erërat e nxehta që do ta shoqërojnë vendin zjarri mund të përhapet edhe në vendbanime.

“Kjo erë që është bukur e ngrohtë dhe temperaturat që ishin dje, sipas parashikimeve për zjarret parashihet që në disa vende, kryesisht në pjesën qendrore të Kosovës mund të ketë dhe zjarre. Qytetarët duhet të kenë kujdes të mos ndezin zjarre. Faza e korrje-shirjeve gati ka përfunduar e mos t’i ndezin ato, sepse këto temperatura dhe kjo erë është rrezik që zjarri të shpërndahet dhe në vendbanime”, ka thënë Aliu.

Ai tha tutje se në raport me të martën ku temperaturat ishin 37-38 gradë Celsius në nivel vendi, të mërkurën temperaturat janë ulur për 7-8 gradë dhe maksimalja gjatë ditës do të arrijë 30-31 gradë Celsius.

“Por, që do të kemi erë nga veri-lindja e cila do të arrijë nga 1 deri në 8 apo në 9 m/s, por që në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit, konkretisht në Istog dhe vendet përreth pasi kemi erë me shpejtësi 10 m/s”, tha ai.

Po ashtu ai theksoi se sot pasdite parashihet të ketë vranësira të cilat do të shoqërohen me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh të cilat do të jenë 100 për qind të izoluara, “në vende tjera do të jenë në afatshkurtra, por që intensiteti i tyre do të jetë i ndryshueshëm”.

I pyetur se si njerëzit duhet të mbrohen nëse do të ketë stuhi, ai tha: “Sigurisht që qytetarët kur të shohin stuhi duhet të mbrohen dhe të hyjnë në vendet ku nuk pengohen nga stuhitë sepse ato nuk zgjasin shumë”.

Ndryshe, Kosova është në mesin e vendeve “me rrezik të lartë” që mund të përballet me zjarre, sipas të dhënave të përpiluara nga Copernicus, pjesë e programit Hapësinor të Bashkimit Evropian dhe Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje.

Parashikimi i sotëm për zjarret sipas Sky News, e ka pozicionuar pjesën më të madhe të Evropës jugore në alarm të kuq, dhe në mesin e tyre figuron edhe Kosova, transmeton Telegrafi.

Sipas hartës, zonat me ngjyrë të gjelbër konsiderohen “me rrezik të ulët” derisa zonat me ngjyrë vjollcë të errët konsiderohen në “rrezik ekstrem”.