KKSB në Suharekë diskuton sigurinë publike, zhurmën nga lokalet dhe rrezikun e zjarreve gjatë verës
Në Komunën e Suharekës është mbajtur sot mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku janë shqyrtuar disa çështje me rëndësi për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Gjatë mbledhjes u miratua procesverbali nga takimi i kaluar, ndërsa më pas u diskutua për aktivitetet e organizuara nga Drejtoria e Arsimit për maturantët.
Anëtarët e KKSB-së trajtuan edhe çështjen e prishjes së rendit dhe qetësisë publike nga lokalet e natës dhe personat e papërgjegjshëm, duke theksuar nevojën për respektimin e rregullave dhe rritjen e bashkëpunimit institucional për adresimin e këtyre rasteve.
Po ashtu, në fokus të diskutimeve ishte edhe parapërgatitja dhe vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen nga zjarret gjatë sezonit veror, me theks të veçantë në masat parandaluese dhe rëndësinë e kujdesit të shtuar gjatë periudhës së temperaturave të larta.
Një tjetër temë e trajtuar ishte mungesa e trotuareve dhe shenjave sinjalizuese në territorin e komunës, çështje për të cilën u dhanë rekomandime konkrete me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.
Për secilën pikë të rendit të ditës u zhvilluan diskutime dhe u dhanë rekomandime nga anëtarët e KKSB-së, ndërsa u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në adresimin e sfidave dhe çështjeve të ngritura gjatë takimit.
