“Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë janë të pa punë, pa shkollë dhe nuk ndjekin trajnime profesionale”
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ditë më parë ka bërë të ditur se mbi 740 mijë persona në vend janë ekonomisht jo-aktivë, që nuk janë në punë dhe aktualisht nuk janë të regjistruar në ndonjë nga zyrat shtetërore që kërkojnë punë. Nga të dhënat që i përkasin periudhës së tremujorit të parë të vitit […]
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ditë më parë ka bërë të ditur se mbi 740 mijë persona në vend janë ekonomisht jo-aktivë, që nuk janë në punë dhe aktualisht nuk janë të regjistruar në ndonjë nga zyrat shtetërore që kërkojnë punë.
Nga të dhënat që i përkasin periudhës së tremujorit të parë të vitit 2022, më shqetësuese mbetet numri prej 100 mijë prej tyre të moshës nga 15 deri në 24-vjeç, që përpos se janë të papunë, nuk janë as në shkollë dhe nuk ndjekin trajnime profesionale.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se janë mbi 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë.
Nga komuniteti i biznesit, thonë se qytetarët e cilësuar në masë të madhe si pasivë nuk regjistrohen për të kërkuar punë për shkak se këto institucione nuk kanë arritur që t’iu përgjigjen kërkesave të tyre, ndërsa ndryshe nga vendet e tjera, as nuk kanë ndonjë mbështetje financiare gjatë kohës së pritjes për punësim.
Duke folur për numrin prej rreth 100 mijë të rinjsh, kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thotë se të njëjtit mbahen nga familja dhe nuk kanë bërë ndonjë kërkesë që të kyçen në tregun e punës.
“Personat jo-aktivë dhe ata që nuk kërkojnë punë konsiderohen në Kosovë që gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 ishte një shifër mbi 740 mijë persona, nga këta janë 98 mijë e 271 të rinj. Të gjitha këto janë rezultate të anketës të fuqisë punëtore që bazohen me një mostër dhe kornize e mostrës janë të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 me ndryshime demografike dhe ende konsiderojmë që këto rezultate në të ardhmen do të ndryshojnë pasi të bëhet regjistrimi i këtij viti, pasi konsiderojmë se popullsia rezidente aktualisht nuk është kjo shifër siç e kemi në kornize mostër aktualisht”, thekson Berisha.
Ai derisa rendit disa nga faktorët që ndikojnë që një pjesë e madhe e të rinjve janë pa punë, shkollë e trajnime, pranon se numri i personave që nuk kërkojnë punë është duke u rritur.
“Së pari jetojnë në bashkësi familjarë të cilët janë të mbajtur nga prindërit apo familja ka burime të tjera dhe familja nuk bënë ndonjë kërkesë që ata të hyjnë në tregun e punës, si të kërkojnë punë. Mund të kryejnë edhe punë të tjera, të cilat në definicione të punësimit nuk konsiderohen, por që janë obligime familjare, ndihmojnë prindërit e tyre në bizneset e tyre apo në diçka të ngjashme. Mirëpo, numri i kontingjentit të popullsisë joaktive që nuk kërkojnë punë dhe që nuk punojnë është duke u rritur vazhdimisht”, shprehet ai.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka vlerëson se roli i trupave që ofrojnë mundësi punësimi është zbehur.
Zeka thotë se pavarësisht se ka kërkesë të madhe për punëtorë në sektorin privat, ka një boshllëk të disponueshmerisë së fuqisë punëtore.
“Roli i trupave të cilët ofrojnë mundësi të punësimit ose ku qytetarët mund të drejtohen për të kërkuar mundësi të punësimit është i zbehur në një ekonomi, siç është rasti në Kosovë, ndoshta edhe për shkak se institucionet e tilla nuk kanë arritur që tu dalin qytetarëve në pah ose të plotësojnë kërkesat e tyre përgjatë viteve. Por, brenda ndërmarrjeve të sektorit privat ka një kërkesë të madhe për punonjës dhe që ka një boshllëk goxha të madh sa i përket disponueshmerisë së fuqisë punëtore. Është një shqetësim që është rritur shumë më tepër prej vitit shpërthimit të pandemisë COVID-19 e tutje, megjithatë është një problematik që është shprehur nga ana e bizneseve edhe para pandemisë”, thotë Zeka.
Shifra e lartë e të rinjve pasivë konsiderohet rrezik për vendin, thotë kryetari i Bashkimit te Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli.
Ai thotë se duhet që institucionet të kenë një qasje serioze ndaj këtij fenomeni.
“Duhet që institucionet tona patjetër të ulen dhe të shohin, t’i kthejnë projektet në vendin tonë. Ne kemi një numër të konsiderueshëm te të rinjve që nuk kanë punë. Mendoj se ne si shoqëri, por edhe punëdhënësit duhet të bëjnë projekte të ndryshme që këtë fuqi punëtore ta ndalim duke ju ofruar projekte të ndryshme, mirëpo edhe duke u kujdesur për të punësuarit që të kenë një standard më të mirë të jetesës. Pra, të kenë një rrogë e cila i plotëson nevojat, të kenë pushimin, dhe të gjitha përfitimet tjera që i a kanë në çdo shtet të BE-së. Dhe nëse i bëjmë këto ne si shoqëri dhe institute, atëherë do të ndikojmë mjaftë shumë në qetësimin e ikjeve te të rinjve që mendojmë se duan ta lëshojnë këtë vend”, thotë Hykolli.
Mes tjerash, Hykolli shton se si BSPK-ja vazhdimisht janë në kontakt me të punësuarit dhe po mundohen që t’u ofrojnë kushtet elementare që të rinjt të duan t’i shërbejnë këtij vendi.
Kujtojmë se, para disa muajve, Qeveria ka krijuar platformën “Super Puna” që nënkupton një pagesë të garantuar prej shtetit 264 euro bruto për 6 muaj, ku kompanitë hapin shpalljet dhe të rinjtë aplikojnë. /KP/