Remitancat një ndër shtyllat kryesore financiare të Kosovës

07.08.2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një pritje me bashkatdhetarë ka ftuar mërgimtarët të investojnë në Kosovë. “Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa […]

Remitancat një ndër shtyllat kryesore financiare të Kosovës Foto: Ilustrim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një pritje me bashkatdhetarë ka ftuar mërgimtarët të investojnë në Kosovë. “Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro.

Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të ri investuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar, tha kryeministri.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, foli edhe për remitancat dhe tha se ato janë një ndër komponentët të rëndësishme për përkrahje të familjeve të Kosovës.

“Rigjallërimi me të cilin u karakterizuan konsumi dhe investimet gjatë vitit 2021 kryesisht mbështet në lehtësimin e masave kufizuese që mbështetën lëvizjen e lirë, dinamikë që u reflektua në mbështetje shumë të lartë të aktivitetit të gjeneruar nga diaspora. Vetëm në vitin 2021, kontributi i fluksit të diasporës (remitancat e dërguara, shpenzimet e realizuara në kuadër të komponentës së udhëtimit në Bilancin e Pagesave të vendit, kompensimi i punonjësve sezonal jashtë vendit dhe investimet në patundshmëri) në BPV-në e gjeneruar rezulton të ketë qenë rreth 43 për qind”, theksoi ai për RTKlive.

Gjatë këtij viti remitancat kanë arritur në 445 milionë euro.

Kurse njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha për RTKlive të hyrat nga diaspora janë pak më të ulëta si pasojë e inflacionit.

“Ajo çka është  me shqetësuese përveç inflacionit dhe trendëve negativë, është fakti që po vërehet që edhe fluksi i diasporës i kësaj vere nuk është ai i nivelit të vitit të kaluar. Kjo është shqetësuese pasi e dimë që infuzioni apo arteria kryesore e zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale ka qenë diaspora”, deklaroi Gërxhaliu.